KOSTT-i e konfirmon, me 40 milionë eurot e Qeverisë Kurti do t’u paguhet rryma serbëve në veri

KOSTT-i e konfirmon, me 40 milionë eurot e Qeverisë Kurti do t’u paguhet rryma serbëve në veri – Lajmet e fundit



Më 10 gusht 2022, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë edhe 40 milionë euro për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës [KOSTT]. Me këto mjete do të paguhet energjia elektrike për komunat veriore të vendit, anipse u tentua që të mohet kjo gjë.

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, shpjegoi arsyet e ndarjes së 40 milionëve për KOSTT-in. Por, ajo asnjherë nuk deklaroi se këto para janë të destinuara për të paguar rrymën që harxhojnë serbët në veri të vendit.

“Kyçja e KOSTT-it në ENTSO është në pyetje. Është në fund të marrëveshjes dhe duhet ripërtërirë. Gjatë vitit kemi shkaktuar disbalance të mëdha nga sistemi interkonektiv. Si Ministri e Ekonomisë kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave, ku është propozuar ndarja e 40 milionë eurove për shlyerje të detyrimeve dhe janë ndarë ato”, ka thënë Rizvanolli në pyetjen e gazetarëve se a janë ndarë për veriun këto para.

Image

Përgjigjja e KOSTT-it

Në anën tjetër, KOSTT-i në një përgjigje për Nacionale, ka konfirmuar se paratë janë ndarë për të paguar rrymën për komunat në veri të vendit.

KOSTT-i  ka nënvizuar se këto para për energjinë elektrike të shfrytëzuar por pa paguar nga serbët janë obligime financiare që duhet paguar ndaj ENSTO-E pasi janë bërë devijime Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.

“KOSTT si palë kontraktuese me ENTSO-E ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës mbështetje për mbulimin e detyrimeve financiare sipas obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E. Siç është e ditur, në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Këto devijime janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E si dhe paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E, obligime për të cilat faturohet”, kanë thënë nga KOSTT për Nacionale.

Kjo pagesë vjen pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se qeveria nuk do të bëjë më subvencionimin e energjisë elektrike për serbët në veri.“Nuk mund te pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin për energjinë e konsumuar në veri të papaguar atje”, ka thënë Kurti.

Marrëveshja për rrymën e veriut

Delegacioni nga Kosova i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bilsimi, në qershor të këtij viti kishte nënshkruar me Serbinë Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë.

Sipas kësaj marrëveshje, Kompania serbe, Elektrosever, do të bëntë faturimin e energjisë për komunat veriore.Deri më tani, Elektroseveri nuk ka respektuar afatet kohore që janë të obliguara me marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, për çka edhe ka shtyrë që të faturohet energjia në atë pjesë të Kosovës.

Elektroseveri nuk i ka dorëzuar të dhënat për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe të Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë [KOSTT], e po ashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji.

E për mosrespektimin e marrëveshjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se fajtor është qasja destruktive e Serbisë.

Kurti kishtë thënë se janë në pritje të reagimit të Brukselit për zbatimin e udhërrëfyesit.“Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori e fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit ashtu siç ishin paraparë oraret. Ne presim reagimin e Brukselit, nuk mund të vazhdojmë me mënyrat e vjetra, ne jemi konstruktivë e të përkushtuar”, kishte thënë Kurti.

Sipas KOSTT, gjatë vitit 2021, borxhi i rrymës, i papaguar për pjesën veriore të Kosovës, ka qenë gati 41 milionë euro.

Ndërkohë, nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës ndan mjete për të paguar rrymën e serbëve në veri.

Gjithashtu, nga e hëna në Kosovë kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike, mirëpo e njëjta gjë nuk po ndodh edhe për komunat veriore.

KEDS ka thënë se reduktimet do të jenë 6 orë me rrymë dhe 2 pa të, teksa ka fajësuar Qeverinë për mos-ndarjen e 100 milionë eurove, të cilat sipas tyre, kanë ndikuar në rëndimin e situatës energjetike.Përndryshe në Kosovë është paralajmëruar një dimër i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike.