Kriminelët kanë emër, është koha që ata të dalin para drejtësisë

Kriminelët kanë emër, është koha që ata të dalin para drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 22-vjetorin e çlirimit të vendit tha se kriminelët e gjenocidit kanë emër dhe mbiemër dhe se tani është koha që ata të dalin para drejtësisë.

Osmani në manifestimin për Ditën e Paqes, tha se zëri i fëmijëve viktima anë e kënd Kosovës akoma thërret për drejtësi, derisa theksoi se është obligim i tyre që ta bëjnë të mundur një gjë të tillë.

“Zëri i Lirisë 6 muajshe dhe i fëmijëve të viktimave anekënd Kosovës akoma thërret për drejtësi. Është obligim i yni që siç e bëmë të mundur lirinë, tani ta bëjmë të mundur drejtësinë. Kriminelët kanë emër dhe mbiemër, është koha tani që ata të dalin para drejtësisë”, tha ajo.

Osmani shtoi se ndërhyrja e NATO-s dhe hyrja e NATO-s në Kosovë në qershor ishte përmbushje e ëndrrës së brezave të tërë për liri dhe se ajo i dha fund njëherë e përgjithmonë pranisë së agresorit serb në Kosovë, duke e vulosur “qartë edhe orientimin tonë të hershëm dhe rikonfirmoi përkatësinë tonë edhe më të hershme, atë perëndimore e cila i vendosi bazat e një lidhje të re me aleancën veri-atlantike”./ KultPlus.com