Kryetari i Bashkisë, Veliaj: “Nëse operatorët e transportit publik nuk dalin në punë do tu hiqet licenca”

Kryetari i Bashkisë, Veliaj: “Nëse operatorët e transportit publik nuk dalin në punë do tu hiqet licenca”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputeten e Partisë Socialiste, Blerina Gjylametin këtë të hënë ishin të pranishëm në Kombinat, ku inspektuan nga afër punimet që po kryhen për rikonstruksionin e rrugës “Hamdi Cullaj”.

Ai u shpreh se zona e Kombinatit në pesë vite ka përfituar investime të rëndësishme, të cilat sipas Veliajt kanë qenë në funksion të nevojave të komunitetit të zonës.

Vizitën në Kombinat Veliaj e shfrytëzoi për t’u bërë thirrje kompanive të transportit publikë, ndërsa kërkoi prej tyre që të rinisin aktivitetin dhe të mos mbajnë peng zhvillimin e kryeqytetit.

Sipas tij, operatorët që nuk do pranojnë të dalin në punë do të humbasin licencën.

“Bashkia e Tiranës i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kompanive të autobusëve. Mund të vazhdojnë debatet me ministrinë, edhe unë dua të vazhdoj një diskutim me ministrinë sepse duhen subvencionuar studentët, duhen subvencionuar personat me aftësi të kufizuara, duhen subvencionuar veteranët; por, ky diskutim mund të vazhdojë fare mirë duke nisur punë. Unë do të jem avokati i tyre, por në momentin kur ata thonë: ‘O të gjitha, o rashë e vdiqa’, ju garantoj se disa kompani do humbasin licencën e transportit në Bashkinë e Tiranës. Këtë qytet nuk e ka mbajtur sot peng askush në këto 5 vite dhe kjo është arsyeja pse ky është paralajmërimi i fundit. Nëse operatorët nuk dalin, fare mirë humbasin licencën, e cila do të hidhet në treg dhe vjen e merr një operator tjetër”, tha Veliaj.

Kreu i Shoqatës së Transportit Urban Rixhin Qosja ka theksuar pse është e rëndësishme që ky sektor të ndihmohet nga shteti në këtë periudhë ndërkohë që protestat e sektorit vazhdojnë. “Ne po kërkojmë fillimin e një ndër aktiviteteve më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, ndaj rrjedhimisht shteti duhet të kontribuojë. Për shembull, ky sektor nuk mund të paguajë taksën e akcizës së naftës njësoj sikurse e paguan një autoveturë, për shkak se transporti urban është një e mirë publike që i shërben gjithë shtetit.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.