Kthehen patentat për shkeljen e orës policore - Heqje patente e bllokim i mjetit për 30 ditë, ishte 3 vjet. Hysi: Jo serioze për qytetarët që paguan

Kthehen patentat për shkeljen e orës policore – Heqje patente e bllokim i mjetit për 30 ditë, ishte 3 vjet. Hysi: Jo serioze për qytetarët që paguan

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në Aktin Normativ, që parashikojnë lehtësimin e masave paralizuese për të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk zbatojnë ndalimin e qarkullimit të mjeteve në zonat dhe oraret e përcaktuara nga organet kompetente. Sipas parashikimeve të reja ligjore, shkelja e orës policore nga drejtuesit e mjeteve do të dënohen me pezullimin e lejes së drejtimit dhe bllokimin e mjetit për 30 ditë, nga 3 vjet që ishte aktualisht. Ndërkohë që, patentat dhe mjetet e bllokuar, që kanë plotësuar afatin 30-ditor do të kthehen.

Gjatë diskutimeve në komision, deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi kritikoi vendosjen e masave administrative jo proporcionale , ndërsa ndryshimet i konsideroi si joserioze për qytetarët që janë përballur deri më tani me to.

Diskutime në komision pati edhe në drejtim të muzikës në bare e restorante, pasi sipas Hysit, ndonëse legjislacioni parashikon mbylljen e saj në orën 22:00, ajo qëndron e hapur deri në mesnatë, çka sipas saj kërkon më shumë informacion për bizneset. Problematika u pranua edhe nga Rakacolli, por sipas saj shkelja e ligjit nuk vjen si pasojë e mosnjohjes së detyrimeve ligjore, por për shkak të shmangies nga ana e bizneseve. Për këtë arsye zv.ministrja kërkoi veprimin nga ana e Ministrisë së Brendshme, përmes strukturave policore.

Ola Mitre / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.