Kurti: Asociacioni siç e do Serbia, nuk është në interesin e serbëve të Kosovës

Kurti: Asociacioni siç e do Serbia, nuk është në interesin e serbëve të Kosovës – Lajmet e fundit



Beogradi zyrtar e ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit se nuk dëshiron të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit për të cilin ushtrohet trysni edhe nga autoritetet ndërkombëtare.

Vetë Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se nuk është as në interesin e serbëve të Kosovës një asociacion i tillë çfarë e ka dashur gjithmonë Serbia.

“Janë rreth 33 marrëveshje të Brukselit dhe midis tyre nuk ka hierarki për një marrëveshje më të rëndësishme se tjetra. Pra Beogradi dëshiron që marrëveshjet si në të kaluarën t’i trajtojë si një tryezë suedeze ku mund të përzgjedhin ata sipas interesave të tyre shtetërore. Më duhet të them se nuk është as në interesin e serbëve të Kosovës një asociacion i tillë çfarë e ka dashur gjithmonë Serbia. Ata më shumë dëshirojnë të kompensohen në stilin e një Republike Serbe edhe në Kosovë për faktin se e kanë humbur Kosovën ndërkohë që nuk është dashur ta kenë asnjëherë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës praktikisht ka konstatuar se asnjëri nga ato shtatë kapituj të asaj marrëveshje të vitit 2015, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht me gjithsej 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. E përkundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse unë marrë shumë letra nga serbët në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk është për këtë asociacionin. Pra është më tepër interes i Beogradit sesa nevojë e serbëve”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit, Kurti tha se “jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pa dallim religjioni. Por trashëgimia kulturore dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë, dhe unë kam shprehur gatishmërinë time që të fillojmë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse në Kosovë të nacionalitetit serb në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të mirë”.

“Por duhet theksuar se ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia të distancohet në të tashmë nga Putini, kërkojmë të distancohet edhe nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi sepse bëhet fjalë për 24 hektarë që kanë qenë dhuratë e Millosheviqit për manastirin e Deçanit. E ajo ka qenë pronë publike dhe nuk do të duhej që ta abstrahojmë këtë fakt. Por unë dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe për të mirën publike pa cenuar e diskriminuar askënd”, theksoi kryeministri Albin Kurti.