Kurti: Detyra e parë do të jetë menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi i vaksinës

Kurti: Detyra e parë do të jetë menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi i vaksinës – Lajmet e fundit



Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë sot se detyra e parë, sapo ta marrë drejtimin e qeverisë, do të jetë menaxhimi me pandeminë, përkatësisht sigurimi sa më i shpejtë i vaksinës kundër COVID-19.

Këtë Kurti e tha në takim që ka pasur sot në zyrat e partisë së tij me ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes të cilën e priti bashkë me deputetin e zgjedhur Arben Vitia.

Në njoftimin nga LVV-ja, thuhet se Gomes e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhje, dhe duke i uruar sukses të mëtejmë në punën e tij, shprehu interesimin e saj për përgatitjet që janë duke u bërë për formimin e institucioneve të reja, dhe për prioritetet e qeverisjes së tij.

“Kryeministri në ardhje, z. Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën. Ai theksoi se detyra e parë e ekzekutivit do të jetë menaxhimi me pandeminë, përkatësisht sigurimi sa më i shpejtë dhe në sasi sa më të madhe i vaksinës kundër Covid-19, për të cilën ripërsëriti që Kosova llogaritë në shtetet mike për ndihmë në atë drejtim”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Tutje, si prioritet, Kurti shtroi çështjen e punësimit dhe drejtësisë, me luftimin e krimit dhe korrupsionit në qendër, duke nënvizuar që progresi në këto fusha është i domosdoshëm për një shtet të qëndrueshëm dhe funksional.

Në fund të këtij takimi, me ambasadoren Gomes, u pajtuan që me t’u konsoliduar qeveria e re, të aranzhojnë takime mes përfaqësuesve të lartë të të dy vendeve, për bashkëpunim të mëtejmë e thellim të marrëdhënieve bilaterale./Zëri