Kurti: Kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e COVID-19, por beteja nuk ka përfunduar

Kurti: Kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e COVID-19, por beteja nuk ka përfunduar – Lajmet e fundit


Foto: Laura Hasani


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur thirrjen që të vazhdohet respektimi i masave të rekomanduara nga IKSHPK-ja, derisa ka thënë se Kosova deri tani e ka menaxhuar sukseshëm situatën me pandeminë COVID-19.

Kurti duke përmendur fjalët e një ekspeti amerikan, ka thënë se Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë në lidhje me luftimin e pandemsië, por ky sukse, tha ai, mund të venitet nëse qyetatarët relaksohen dhe nuk respektojnë rekomandimet pas lehtësimit të masave, transmeton Zeri.Info.

“Të gjithë jemi krenarë për suksesin tonë në uljen e dukshme të lakores së virusit në Kosovë. Gjatë 13 ditëve të fundit, çdo mbrëmje kemi pasur arsye për t’u gëzuar sepse ka pasur më shumë të shëruar sesa të infektuar. Në dy javët e fundit kemi 460 të shëruar e vetëm 90 të infektuar (pra, mbi pesëfishin). Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të shmangim vizitat familjare dhe shoqërore, të mbajnë distancë dhe që sipas tij të gjitha rezultatet e deritanishme tregojnë se fitorja është në anën tonë.

Megjithatë, Kurti u shpreh se askush nuk ka të drejtë ta shpallë të përfunduar këtë betejë.

“Ata që e bëjnë një gjë të tillë do të na pamundësojnë fitoren e shumëpritur. Le të mos harrojmë që ende nuk e posedojmë as antiviralin e as vaksinën për këtë virus. Për të gjithë ne, ai mbetet ende i panjohur. Edhe pse po e mundim këtë armik të padukshëm (kemi gati tre herë e gjysmë më shumë të shëruar sesa raste aktive), kjo nuk garanton pamundësimin e infektimeve të reja. Andaj, le të vazhdojmë të respektojmë, deri në fund, masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKShPK-së”, potencoi kreu në detyrë i ekzekutivit kosovar. /Zëri