Kurti kërkon të “lihet e qetë” Gjykata Kushtetuese në pritje të vendimit

Kurti kërkon të “lihet e qetë” Gjykata Kushtetuese në pritje të vendimit – Lajmet e fundit



Kreu në detyrë i ekzekutivit, Albin Kurti, ka kërkuar që të lihet të punojë në qetësi Gjykata Kushtetuese, për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për t’i dhënë mandat Avdullah Hotit të LDK-së për të formuar qeverinë e re.

“Besoj që duhet ta lëmë Gjykatën të punojë në qetësi. Gjykata i ka aktgjykimet e mëhershme. Ekziston përvoja dhe praktikat e deritanishme, e kemi Kushtetutën, dhe le të punojnë në qetësi për vendim profesional e meritor”, tha ai derisa po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës që i bëri Autoritetit të Aviacionit Civil, raporton Zeri.info.

Kurti u pyet edhe për vdekjen e të riut në Konviktet e Prishtinës, dhe akuzat e Presidentit Thaçi ndaj tij dhe vartësve të tij për përgjegjësi për këtë vdekje, por ai nuk deshi të komentojë gjatë atë që ai e quajti “ping-pong politik”.

“Kosova është shtet i pavarur, e ka Kushtetutën, i ka ligjet e veta, dhe unë punoj me gjithë dijen dhe kompetencat që kam dhe nuk do të mund të na pengojnë insinuata të tilla, qofshin edhe ato presidenciale”, u shpreh Kurti.

Për kërkesën e infermierëve kosovarë që të shkojnë në Luginë të Preshevës për t’u dalë në ndihmë shqiptarëve atje gjatë pandemisë, Kurti tha se kërkesa ka arritur në Ministrinë e Financave dhe në atë të Shëndetësisë, por nuk dha ndonjë përgjigje konkrete rreth saj.

“Ministri i Financave dhe ministri i Shëndetësisë, e kanë marrë një kërkesë të tillë. Jemi qeveria e parë që e kemi ndihmuar Luginën. Dhe do ta vazhdojmë ndihmën tonë në mënyrë dhe kohën që e vlerësojmë se do të jetë më e dobishmja”, deklaroi kreu në detyrë i Qeverisë, Albin Kurti.