Kurti pas takimit me Lajçakun: Kosova është palë e barabartë,  jo temë e dialogut

Kurti pas takimit me Lajçakun: Kosova është palë e barabartë, jo temë e dialogut – Lajmet e fundit



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se Kosova në dialogun e Brukselit është palë e barabartë dhe jo temë ndërsa ka ftuar Serbinë të pranojë realitetin në mënyrë që të arrihet marrëveshje e qëndrueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

Kuti këto i ka thënë gjatë takimit me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit. Kryeministri Kurti ritheksoi se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë, duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit pas takimit.

Në komunikatën për media thuhet se në këtë takim u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit”, thuhet në komunikatë. /Zëri