Kurti: S’e kam lexuar ende raportin e SHBA-së për Ujmanin

Kurti: S’e kam lexuar ende raportin e SHBA-së për Ujmanin – Lajmet e fundit



Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ende nuk e ka lexuar raportin e ShBA-së për Liqenin e Ujmanit.

Kurti, i pyetur për këtë çështje, shtoi se ekipet që merren me këtë çështje do ta analizojnë atë dhe më pas do të dalin me qëndrim.

“Nuk e kam lexuar ende raportin, kemi ekipet që merren me këtë gjë, dhe pastaj do ta komentojmë”.

Ndërsa Kurti ka refuzuar të përgjigjet sa i përket liberalizimit të vizave dhe zotimeve që ka marrë pas takimit nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. 

Me këtë marrëveshje synohej përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi.

Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit Amerikan të Energjisë, propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

“Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument., shkruan EO.

Më tej theksohet se “sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve”.