Kurti takon Minxhozin, flasin për bashkëpunimin Kosovë - Shqipëri para dhe pas pandemisë

Kurti takon Minxhozin, flasin për bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri para dhe pas pandemisë – Lajmet e fundit



Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar sot me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në këtë takim u diskutua në lidhje me pandeminë COVID-19 dhe për bashkëpunimin në mes të Kosovës e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, përcjell “Zeri.info”.

Kurti dhe Minxhozi kanë bërë thirrje për ruajtje të qetësisë dhe për kujdes maksimal, në mënyrë që të mos përhapet infektimi edhe më tutje dhe të fitohet lufta me këtë virus.

Ndër të tjera, dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për rimëkëmbjen ekonomike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Temë tjetër e diskutimit përgjatë takimit ishte bashkëpunimi bilateral ekonomik, rritja e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve, si dhe faktorët që duhet ta nxisin këtë qarkullim. Mbi bashkëpunimin në mes të dy vendeve u diskutua edhe në fushën elektroenergjetike, pas pavarësimit elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia dhe bashkëngjitjes në Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë – Shqipëri, si dhe funksionalizimit të interkonjeksionit 400 kV në mes të Kosovës dhe Shqipërisë pas më shumë së 6 vjetëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeministrit.