Kurti, Thaçi e Osmani heshtin për masat që Serbia ndërmori në Veri të Kosovës

Kurti, Thaçi e Osmani heshtin për masat që Serbia ndërmori në Veri të Kosovës – Lajmet e fundit



Albin Kurti, Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani s’e kanë thënë ende asnjë fjalë pse Serbia e ka shtrirë pushtetin ekzekutiv edhe në Veri të Kosovës duke i vendosur nën karantinë tri komuna. Fjalë s’kanë thënë as partitë opozitare. Veriu i Kosovës, prej pasluftës, ka qenë i qeverisur kryesisht nga strukturat paralele ose pushtet lokal që i ka dhënë llogari më shumë Beogradit sesa Prishtinës.

Banorë të Mitrovicës kanë njoftuar se Policia e Kosovës s’po i lejon të shkojnë në Veri të Kosovës përkatësisht në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan. Kjo ndalesë po iu bëhet pasi Republika e Serbisë ka vendosur masën e karantinës për tri komunat veriore shkaku i paraqitjes së koronavirusit atje.

Bllokimi i lirisë së lëvizjes për zona të caktuara mund të marrë vetëm Ministria e Shëndetësisë bazuar edhe në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, lirinë e lëvizjes në gjithë Kosovën s’mund ta bëjë askush pa vendim të Parlamentit dhe shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Për këto veprime të Serbisë s’ka folur ende asnjëri prej krerëve të institucioneve të Kosovës.

Ka heshtur Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, i cili është përgjegjës për funksionimin demokratik te institucioneve. Thaçi kohëve të fundit, kryesisht, po merret me atë se kush dhe se si do të formohet Qeveria e re e Kosovës.

Asnjë fjalë s’e ka thënë edhe Kryeministri i shkarkuar Albin Kurti, i cili po ashtu ka pasur punë ditëve të fundit me emërime dhe shkarkime të bordeve të ndërmarrjeve publike në Kosovë.

Qeveria e shkarkuar s’e ka lëshuar asnjë njoftim se çka po ndodh me pjesën Veriore të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe Ministria e Punëve të Brendshme,  e cila është përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve përmes Policisë së Kosovës.

Zyra e Policisë së Kosovës, në një përgjigje për Express, ka thënë se do të veprojnë në gjithë territorin e Republikës bazuar në ligjet e aplikueshme. S’kanë folur konkretisht se çka do të bëjnë në Veri anipse atje policë të Kosovës po zbatojnë masat e vendosura nga Republika e Serbisë.

Asnjë fjalë s’e ka thënë as Nënkryetarja e LDK’ë, Vjosa Osmani, e cila udhëheq me organin më të lartë të Republikës, Parlamentin.

Sidoqoftë, Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë thënë se pacientët me simptoma të rënda të dërgohen në qendrat mjekësore në Nish, Beograd dhe në pjesë tjera të Serbisë, kurse pacientët me shenja të lehta të koronavirusit, të trajtohen në spitalin e Mitrovicës dhe në Qendrën e Studentëve ku do të formohet klinika për pacientët me simptoma të lehta.

Deri tash në Kosovë janë prekur 135 persona me koronavirus, një ka vdekur, kurse 16 janë shëruar. Së pari virusi është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan. Në gjithë botën janë prekur më shumë se një milion njerëz prej kësaj sëmundjeje ngjitëse, prej të cilëve 226 mijë janë shëruar ndërsa 59 mijë kanë vdekur.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.  Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.