Kushtetuesja, opsioni i fundit për ankesat e partive joserbe

Kushtetuesja, opsioni i fundit për ankesat e partive joserbe – Lajmet e fundit



Partitë nga komunitetet joserbe në Kosovë, përmes disa ankesave të dorëzuara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), po kërkojnë anulimin e votave të qytetarëve serbë që kanë votuar për partitë boshnjake dhe rome në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Me arsyetimin se kanë argumente të shumta që dëshmojnë orkestrimin e zgjedhjeve, pas dorëzimit të ankesave, përfaqësuesit e këtyre partive thanë se shpresojnë se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme të vendosë në favor të tyre.

Por, përkundër këtyre ankesave, drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për Radion Evropa e Lirë se institucioni që duhet trajtuar këtë rast është Gjykatë Kushtetuese.

Ai thotë se është fakt i ditur devijimi i vullnetit të pakicave në zgjedhjet e 14 shkurtit, porse beson pak se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme kanë mundësi të vendosin në favor të ankesës së këtyre partive.

“Në aspektin ligjor, ndoshta është pak problem që PZAP-ja dhe Gjykata Supreme të marrin vendime për shkak se ato vetëm i përcjellin parregullsitë që kanë qenë në proces dhe mund të kthejë në rinumërim apo rivotim”, tha Demhasaj.

“Mendoj se kjo është lëndë më tepër për Gjykatën Kushtetuese sepse ne e dimë në Kushtetutë cili është qëllimi kryesor i vendeve të rezervuara (v.j. garantuara) për komunitetet. Në këtë moment mendoj se ka një devijim të qëllimit sepse qëllimi i këtyre vendeve është që secili komunitet të jetë i përfaqësuar dhe përfaqësimi vjen direkt nga qytetarët që vijnë nga komuniteti i caktuar dhe jo votat që vijnë nga komunitetet e tjera”, shtoi ai.

Gjykata Kushtetuese, opsioni i fundit

Kryetarja e Unioni Socialdemokrat (SDU) nga komuniteti boshnjak, Duda Bale, partia e së cilës nuk fitoi asnjë ulëse në kuvend, nuk e përjashtoi mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi duke kërkuar anulimin e votave të serbëve që kanë votuar për boshnjakët”, tha Bale.

Në emër të partive të komuniteteve, rom, ashkali dhe egjiptian, Veton Berisha, tha se PZAP-ja duhet që të marrë parasysh ankesën e tyre, pasi që thotë se kanë dorëzuar dëshmi të mjaftueshme.

“Vota e komuniteteve është e lidhur me përfaqësuesit të cilët zgjedhen nga vetë ai komunitet dhe pretendimi ynë është se dy të zgjedhurit nga ‘Iniciativa Rome’ janë dy të zgjedhur përfaqësues të komuniteti rom, por që janë në 95.5 për qind të zgjedhur nga komuniteti serb”, tha Berisha.

Çështja e orkestrimit të votave nga subjekti politik Lista Serbe u ngrit pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e 14 shkurtit.

Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesit politikë të komuniteteve joserbe ngritën zërin duke thënë se Lista Serbe po organizonte qytetarët në komunat me shumicë serbe që të votojnë për subjekte dhe individë të caktuar nga komunitetet joserbe.

Kjo sipas tyre do të pamundësonte rizgjedhjen e tyre si dhe do të rrezikonte seriozisht përfaqësimin meritor të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KËTU