Kuvendi bëhet me rregullore të re, Kurti: Sot kalon testi i demokracisë

Kuvendi bëhet me rregullore të re, Kurti: Sot kalon testi i demokracisë – Lajmet e fundit



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i lumtur që në mandatin e Qeverisë të cilën ai e udhëheq Kuvendi nga sot do të bëhet me rregullore të re.

Rregullorja e re e Kuvendit u votua me 81 vota për më 28 korrik, ndërsa hyn në fuqi këtë të martë, meqë publikohet në Gazetën Zyrtare.

I pari i Qeverisë tha se miratimi i rregullores vjen pas një përpjekjeje të gjatë të Kuvendit për të rishikuar rregullat e funksionimit të institucionit më të lartë në vend.

“Procesi i rishikimit të rregullores kishte filluar në vitin 2012 dhe kishte vazhduar në secilën legjislaturë, me qëllim të adresimit të problemeve të identifikuara që nuk funksiononin, por që pavarësisht nevojës e përpjekjeve, miratimi i saj nuk kishte ndodhur.

Miratimi gjithmonë ka qenë një sfidë politike për Kuvendin, për shkak se për miratimin e saj kërkohej një shumicë e kualifikuar e së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kjo kërkonte një konsensus të gjerë të spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend.

Për nga mënyra e votimit, Rregullorja e Kuvendit hyn në kategorinë e akteve më të rëndësishme të shtetit që miratohen nga Kuvendi, siç janë Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo ishte një përpjekje pothuajse 10-vjeçare, për të cilin punuan shumë deputetë, partnerë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile për disa legjislatura me radhë”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.

Tutje, ai tha se rregullorja e re adreson sfidat kryesore që e kanë përcjellë punën e Kuvendit që nga viti 2010.

“Nga adresimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me konstituimin dhe punën e Kuvendit, rritjen e efikasitetit të Kuvendit e trupave të tij, avancimin e mekanizmave të mbikëqyrjes parlamentare, forcimin e rolit të komisioneve parlamentare në mbikëqyrje, shqyrtimin e projektligjeve e miratimin e tyre, organizimin dhe funksionimin e grupeve vullnetare, përmirësimin e dukshëm të transparencës dhe llogaridhënies parlamentare, konsultime cilësore përmes dëgjimeve publike duke u kujdesur për një përfshirje sa më të gjerë të kategorive shoqërore në procesin e ligjbërjes, funksionimin e Kuvendit në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes emergjente, si edhe shumë çështje tjera që ndërlidhen me punën e Kuvendit”, është shprehur Kurti, përcjell Klankosova.tv.

Për Kurtin kanë qenë dy faktorë kryesorë që e kanë penguar përfundimin e këtij procesi, ku të parin ai e listoi jostabilitetin institucional dhe mungesën e vullnetit politik.

“Kjo situatë për disa vite me radhë është vlerësuar një nga pikat e dobëta të Kuvendit nga raportet e BE-së për vendin dhe në vazhdimësi kërkohej që Kuvendi duhet të lëvizë në këtë drejtim. Në këtë mandat kishim edhe stabilitetin e nevojshëm institucional edhe vullnetin politik për të mundësuar miratimin e Rregullores. Miratimi i aktit më të rëndësishëm të vet Kuvendit, mundëson përmirësimin e punës së Kuvendit dhe avancimin më tutje të parimeve dhe standardeve demokratike të parlamentarizmit.

Është përkushtim yni politik që në Kuvendin e Republikës publikja të marrë formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimit të demokracisë direkte apo përfaqësuese. Në këtë drejtim, të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që niveli i punës së Kuvendit dhe i llogaridhënies në Kuvend të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve, ndaj qytetarëve të Republikës e interesit publik”, shkroi Kurti.