Lajm i mirë për ata që kanë nevojë për vizë Schengen për në Gjermani

Lajm i mirë për ata që kanë nevojë për vizë Schengen për në Gjermani – Lajmet e fundit



Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka dhënë një lajm të mirë për ata që duan të marrin vizë shengen për në Gjermani.

Datat e vizave Schengen për udhëtim në Gjermani tani mund të rezervohen përmes ofruesit të jashtëm të shërbimit VisaMetric

Tash e tutje, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka njoftuar se do të punojë së bashku me VisaMetric, ofruesin e kontraktuar të shërbimeve të porositur nga Zyra e Jashtme në Berlin.

Ky bashkëpunim tashmë është dëshmuar në disa vende të tjera.

“Ofruesi i shërbimit VisaMetric ju ndihmon në aplikimin tuaj për vizë Shengen. Ai i dërgon dokumentet tuaja në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, ku aplikimi do të vazhdojë të shqyrtohet dhe të vendoset. Pastaj merrni pasaportën tuaj nga ofruesi i shërbimit. Ofruesi i shërbimit do të lejojë një takim dukshëm më të shpejtë, i cili do të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes për aplikimin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Informacionet bazë për aplikimin, si dhe datat për aplikim, tani mund të rezervoni online përmes faqes së internetit të ofruesit të shërbimit VisaMetric https://www.visametric.com/Kosovo/Germany/xk

Por, ambasada ka njoftuar se asgjë nuk ka ndryshuar për vizat me qendrim mbi 90 ditë.

“Kur aplikoni për vizë kombëtare (qëndrime mbi 90 ditë, p.sh. bashkim familjar, punësimi, trajnimi, studimet etj.) asgjë nuk ndryshon. Datat për viza të tilla duhet të vazhdojnë të rezervohen drejtpërdrejt përmes sistemit të takimeve në internet të ambasadës dhe aplikimet do të pranohen në ambientet e Ambasadës”, thuhet në njoftim. /Zëri