Presidentja në takim me institucionet për situatën në vend, opozita e refuzoi ftesën

LDK-ja: Presidentja na ftoi në takim për të mbuluar dështimin e djeshëm në veri – Lajmet e fundit



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka mbajtur takim me krerët e shtetit, ndërsa përmes një njoftimi nga Presidenca, u tha se ftesën për takim e kishin edhe partitë opozitare të cilat nuk morën pjesë në këtë takim.

Për këtë ka reaguar LDK-ja, e cila ka thënë se dje i dha mbështetje institucioneve të Kosovës në lidhje me shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.

“Dënuam sulmin ndaj Policisë së Kosovës që po ushtronte mandatin e saj kushtetues. Kërkuam koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe theksuam që Kosovës në këto momente i duhen më së shumti siguria dhe qetësia”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas LDK-së, institucionet nuk ishin koordinuar me askënd dhe s’kanë qenë të përgatitura për situatën, ndërsa për ftesën e Presidentes për takimin e sotëm, ata kanë thënë se ishte tentik për të mbuluar këtë dështim.

“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme. Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë?”, thotë LDK-ja.

Sipas tyre, opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet.

“Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj.Mbështesim vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran. Në të njëjtën kohë, koordinimi me aleatët tanë është kërkesë e përhershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky koordinim është kushti i vetëm i suksesit”, thuhet në komunikatë. /Zëri