‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Mjeshtri dhe Margarita’

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Mjeshtri dhe Margarita’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i
vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni
leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Mihail
Bulgakov, nga këndvështrimi i sotëm, është gjithsesi emri më i rëndësishëm i
letërsisë ruse të kohës së tranzicionit nga shekulli XIX. I mrekullueshëm
nëpërmjet hapësirës së ndjeshmërisë së re dhe avangardës, drejt sensibilitetit
të lartë modernist e madje edhe postmodernist.

Edhe
pse i shkolluar për mjek, Bulgakovi tërë jetën e tij është marrë me teatër,
madje si shkrimtar, kritik, por edhe aktor dhe krijues i shfaqjeve. Drama e
tij, “Ditët e Turbinëve”, e bërë në bazë të romanit “Garda e
Bardhë”, ishte ndër më të suksesshmet, por edhe më përmbysëset të asaj
kohe (ajo u kritikua nga Stalini personalisht).

Me
konstruksion të brishte psikologjik, duke e ndjerë presionin e fuqishëm të
realitetit të tillë, Bulgakovi kishte për qëllim të largohej nga Rusia, por
Stalini nuk ia lejoi. Në vitet e fundit të jetës, në një vrull plot afsh,
shkroi faqet brilante të kryeveprës së tij, romanit “Mjeshtri dhe
Margarita”, por në prag të Luftës së Dytë Botërore, ai vdiq i dëshpëruar
me pozicionin e vet.

“Mjeshtri
dhe Margarita” në Bashkimin Sovjetik të periudhës staliniste mundi të
shpërndahet në dorëshkrim në mënyrë klandestine në rrethin e ngushtë të miqve
të Bulgakovit. Në format libër u botua vetëm njëzet e gjashtë vjet mbas vdekjes
së tij.

Kjo
kryevepër konsiderohet si një roman kompleks, e ndërlikuar dhe tronditëse.
Përshkrimi alegorik deri në detaje i dramës njerëzore e zhvendos lexuesin mes
dy botëve paralele. Pasi ka përjetuar emocione tronditëse ai e ka të vështirë
që të bëjë dallimin mes asaj që është e gënjeshtërt dhe së vërtetës.

Ky
trazim i ndjesive gjatë leximit nuk lë hapësirë për një zgjedhje vetjake, por e
dikton lexuesin për t’i shkuar këtij “teatri” deri në faqen e fundit i
shoqëruar me dilema të shumta dhe vështirësi që të bëjë zgjedhjen e duhur mes
botës materiale dhe asaj ideale, mes jetës tokësore dhe shpresës për të
ardhshmen, gëzimit të rilindjes apo hidhërimit mbas një jete të vështirë e pa
shpresë.

Intrigë
demoniake, perde të shumta tymi.., satirë therëse, kjo është gjuha e Bulgakovit
i cili na bën të reflektojmë për njerëzit, rrezikun që paraqet ndikueshmëria e
manipulatorëve dhe sharlatanëve në një grupim shoqëror të caktuar.

Ky
libër e çon individin në një marrëdhënie trishtuese e pa perspektivë, e ku i
duhet të luftojë për të ringjallur vetveten, përballë një bote të ndërtuar mbi
pabesinë dhe dashurinë e humbur.

Një
nga romanet më të mëdha të shekullit të XX – të. Nuk është botuar gjatë jetës
së autorit. Mihail Bulgakov ka vdekur më 1940, i thyer nga realiteti i rëndë
sovjetik, ndërsa ky roman monumental së pari u botua në dy numra të revistës
moskovite “Bota e Re” më 1966 – 1967.

Rrëfimi
për një dashuri, i përfshirë me skena jashtëzakonisht sugjestive të orëve të
fundit të Jezuit nga Nazareti para prokuratorit romak të Judesë, Pons Pilatit,
por edhe me paraqitjen ekzoterike të zotëri Volandit në Moskën e asaj kohe,
shndërrohet në njërën nga historitë më ngacmuese për fatin njerëzor dhe rrugëve
të shpëtimit.

Fragment
nga libri

Kur
mbaruan rrebeshet dhe erdhi vera e nxehtë, në vazo u shfaqën trëndafilat e
shumëpritur që aq fort i pëlqenin ata të dy. I vetëquajturi mjeshtër shkruante
me pasion romanin e vet, roman ky që përpiu madje edhe të panjohurën.

-Ç’është
e drejta, kur e kur bëhesha edhe xheloz ndaj saj se më tepër i kushtonte
vëmendje romanit sesa mua, – i tha Ivanit mysafiri i natës, i cili ia behu aty
nga ballkoni i larë me dritën e hënës.

Duke
gafruar flokët me gishtërinjtë thonjmprehtë, ajo lexonte e rilexonte faqet e
shkruara, mandej qëndiste atë kapelen që ai tani e mbante në kokë. Hera –
herës, me ndonjë leckë ajo fshihte pluhurin nga kopertinat e librave.

Ajo
i premtonte famën, e nxiste në punë dhe e quante mjeshtër. Ajo priste
padurimthi rreshtat e fundit të romanit që, siç i pat thënë ai, bënin fjalë për
prokuratorin e pestë të Judesë dhe përsëriste, sikur këndonte, ato frazat që i
kishin pëlqyer më tepër dhe ngulmonte se në atë roman ajo shihte jetën e saj.

Romani mbaroi së shkruari në muajin gusht, ia dhanë një daktilografeje të panjohur, e cila e shtypi në pesë kopje. Dhe, më në fund, erdhi koha të linim strehën e fshehtë dhe të dilnin në jetë. /KultPlus.com

The post ‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Mjeshtri dhe Margarita’ appeared first on KultPlus.