Lluka: Gjashtë ndërmarrje publike janë në gjendje të keqe, Telekomi mbetet sfidë kryesore

Lluka: Gjashtë ndërmarrje publike janë në gjendje të keqe, Telekomi mbetet sfidë kryesore

Komisioni për Zhvillim Ekonomik,
Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka shtyer për një ditë
tjetër shqyrtimin e Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore
për vitin 2017-të, raporton Ekonomina Online.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin
Lluka, tha se 10 ndërmarrje nga 16 në tërësi operojnë me fitim dhe janë të
qëndrueshme ndërkaq 6 nga to nuk janë në gjendje të mirë.

“Në ligjin e ri për ndërmarrje publike s’parashihet
që raporti me ardh çdo 6 muaj dhe kjo e rrit raportimin e ndërmarrjeve publike.
4 ndërmarrje në vitin 2018-të janë auditu më shumë. Në vitin 2017-të edhe pse
ka pas një punësim të vogël, ndërmarrjet kanë operuar më mirë. Në vitin 2017-të
kanë qenë 10 ndërmarrje që kanë operuar mirë krahasuar me vitin 2016-të. Janë 5
kompani që kanë operuar me humbje. Subvencionet janë zvoglu për 5 milionë euro ndërkaq
investimet kapitale kanë rënë”, ka thënë Lluka.

Ministri Lluka tha se Telekomi vazhdon të jetë
sfidë kryesore.

“Telekomi vazhdon të jetë sfidë kryesore. Ne
jemi në proces të përgatitjes së terrenit për privatizim të Telekomit që synimi
jonë është që të ristrukturohet. Posta vazhdon të jetë me të njëjtat probleme,
nuk ka pasur rritje të punësimit. Posta vazhdon të mbetet e varur në qiranë që
paguan Telekomi dhe me vështirësitë që ka ky i fundit do t’i shkaktoi probleme
postës. 10 prej ndërmarrjeve janë të qëndrueshme, 6 janë mjaft keq”, tha Lluka.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë
se është e paarsyeshme që të diskutohet raporti i vitit 2017-të kur ekzistojnë
raportet e vitit 2018-të.

“Më duket komplet e paarsyeshme ta diskutojmë
raportin e vitit 2017-të kur jemi në vitin 2019-të. Nuk ka kurrfarë kuptimi me
diskutu për vitin 2017-të duke e ditë e duke pas informata se çka ka ndodhë në
vitin 2018-të. Ne e dimë që vetëm muajt e fundit në Telekom numri i punëtorëve
është rritë për 100”, tha ajo.

Lluka tha se kredia prej 25 milionë euro për
Telekomin nga Banka Botërore merret me garancë nga qeveria mirëpo paguhet nga
Telekomi.

“Sa i përket kredisë nga Banka Botërore për
Telekomin, ajo i jepet Telekomit, ka mundësi qe i kërkohet shtetit garancion,
por kredia do ti jepet Telekomit. Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve bënë
raportin. Sa i përket kredisë po flasim për kredi investive. 25 milionë nëse
jepen është shuma maksimale dhe do të jetë për fusha kapitale  dhe jo për shpenzime operative”, tha Lluka.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha
se të gjitha problemet e ndërmarrjeve publike vijnë nga keqmenaxhimi dhe
mbushja me militantë partiak.

Ai e ka quajtur të pakuptimtë marrjen e kredisë
për Telekom pasiqë sipas tij kjo e fundit po planifikon të privatizohet.

“Mendoj qe problemi më i madh sa i përket ndërmarrjeve
publike është ideologjia e qeverisë. Ideologjia e saj është që ndërmarrjet publike
nuk funksionojnë dhe gjitha problemet na rrjedhin prej këtyre koncepteve të
qeverisë. Shkatërrimi i PTK-së vjen nga keqmenaxhimi dhe mbushja me militantë
partiak. Ajo që duhet të bëjë qeveria është ta heq keqplanifikimin dhe ndikimin
politik. Është e dhimbshme se si Telekomi është zhvlerësuar. Raporti për ndërmarrje
publike duhet me qenë më shumë se kontabilitet. Sa i përket kredisë qysh është
e mundshme me marr kredi nëse qeveria po mendon me privatizu. 25 milionë euro
kredi për një ndërmarrje që t’i je i bindur që ka me falimentu. Kjo po bëhet veç
për t’i zgjat rrogat e militantëve”, tha Konjufca.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, ka kërkuar që
kjo pikë të shtyhet në mënyrë që të jenë të bashkangjitura edhe me raportin e kënaqshmërisë
dhe raportet financiare.

“Mos me diskutu sot ne për 2017-ten, unë kërkova me pas raportin e kënaqshmërisë dhe raportet zyrtare të menaxhmenteve për bordin dhe raportin financiar”, ka thënë Zharku.