"Lockdown Mode" është përgjigja e Apple për parandalimin e sulmeve të sofistikuara

“Lockdown Mode” është përgjigja e Apple për parandalimin e sulmeve të sofistikuara

Ditën e Mërkure Apple tha se kishte planifikuar të lançonte një funksionalitet të ri në Vjeshtë quajtur “Lockdown Mode” dhe që shton një nivel ekstra sigurie për avokatët e të drejtave të njeriut, disidentët politikë dhe objektiva të tjerë të sulmeve të sofistikuara nga hakerët.

Lëvizja vjen pasi dy kompani Izraelite kanë shfrytëzuar probleme sigurie në softuerët e Apple për të kompromentuar iPhone pa pasur nevojë për asnjë lloj ndërveprimi nga përdoruesit.

NSO Group, krijuesi i softuerit “Pegasus” i aftë të realizojë sulme të tilla, është paditur në gjykatë nga Apple e madje vendosur në listën e zezë të tregtisë nga administrata Amerikane.

Lockdown Mode do të vijë në iPhone, iPad dhe Mac me përditësimet e Vjeshtës dhe do të bllokojë shumicën e përmbajtjeve të dërguara në aplikacionin Messages që nuk janë tekst.

Modaliteti i ri gjithashtu do të bllokojë lidhjet fizike me kabëll të iPhone kur këta të fundit janë të kyçur. Firma tjetër Izraelite Cellebrite ka përdorur lidhje të tilla manuale për të aksesuar iPhone.

Përfaqësues të Apple besojnë se sulmet për të cilat është dizajnuar ky funksionalitet i ri që ti bllokojë, ose siç njihen ndryshe si “zero click”, janë ende të rralla dhe shumica e përdoruesve nuk kanë nevojë të aktivizojnë modalitetin e ri.

Kompanitë e spyuerit justifikojnë shitjen e këtyre teknologjive me argumentin se duan të ndihmojnë qeveritë e vendeve për tu mbrojtur nga kërcënimet për sigurinë kombëtare. Por grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët vazhdimisht kanë dokumentuar përdorimin e spyuerëve kundër shoqërisë civile, opozitës politike e madje për të ndërhyrë në zgjedhje.

Për të mbrojtur këtë funksionalitet Apple tha se do të paguajë deri në 2 milionë dollarë për secilën dobësi sigurie që hulumtuesit mund të gjejnë në modalitetin e ri dhe kompania thotë se është shpërblimi më i madh ofruar në industri.

Apple gjithashtu njoftoi krijimin e një granti 10 milionë dollarësh për grupet që gjejnë, ekspozojnë dhe punojnë për të parandaluar sulmet të shënjestruara. Ky grant do të shkojë për Dignity dhe Justice Fund themeluar nga Ford Foundations, një prej fondacioneve private më të mëdha në SHBA. /PCWorld Albanian