Lumezi deklaron pasurinë, të hyrat vjetore sillen rreth 50 mijë euro

Lumezi deklaron pasurinë, të hyrat vjetore sillen rreth 50 mijë euro – Lajmet e fundit



Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Duke u bazuar në deklarimin e tij, të hyrat vjetore të kryeprokurorit sillen rreth 50 mijë euro.

Lumezi ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa, në vlerë prej 200 mijë eurove, të cilat thotë t’i ketë blerë nga biznesi i mëhershëm privat, si dhe një shtëpi në vlerë prej 220 mijë eurove, të cilën e ka blerë me kredi, kursime, pagën e tij dhe të bashkëshortes dhe nga të ardhurat e qirasë.

Kryeprokurori duket se është i dhënë edhe pas artit. Te pasuritë e luajtshme ai ka deklaruar pesë piktura, që i ka vlerësuar me 15 mijë euro.

Përveç pikturave, ai ka deklaruar edhe veturën e bashkëshortes në vlerë prej 6 mijë eurove dhe të fëmijëve në vlerë 19 mijë euro, që thotë se është blerë me kursime, raporton “Express”.

Lumezi po del të ketë goxha para të gatshme. Vetëm ai ka rreth 60 mijë euro në banka, derisa vlera e parave të gatshme që ka bashkëshortja e tij dhe fëmijët sillet rreth 35 mijë euro.

Detyrime ndaj bankave thotë se nuk ka aktualisht, derisa ka njoftuar se një kredi në vlerë prej 60 mijë eurove është paguar tashmë.

I pari i Prokurorisë ka deklaruar se merr të hyra vjetore në vlerë prej rreth 50 mijë eurove. Mbi 41 mijë euro i merr si pagë nga Prokuroria, bordet dhe Komisioni për Provimin e Jurisprudencës, mbi 1 mijë e 400 euro nga mëditjet dhe rreth nëntë mijë euro nga qiraja.

Ndërkohë, të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij sillen rreth 20 mijë euro, që i merr si pagë nga Universiteti i Prishtinës dhe një universitet privat, derisa fëmijët e tij marrin rreth 16 mijë euro në vit.

Image

Image

Image

Image