LVV-ja refuzon Hotin për të qenë pjesë e bisedimeve me Serbinë në Washington e Bruksel

LVV-ja refuzon Hotin për të qenë pjesë e bisedimeve me Serbinë në Washington e Bruksel – Lajmet e fundit



Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se ka pranuar një ftesë nga kryeministri Avdullah Hoti për të qenë pjesë e bisedimeve me Serbinë në Bruksel e Washington, por një ftesë të tillë e ka refuzuar.

Refuzimi i ftesës vjen pasi që LVV-ja qeverinë e Kosovës e konsideron “jolegale” dhe “jolegjitime”.

“Në përputhje me qëndrimet tona në raport me këtë qeveri jolegale dhe jolegjitime”, thotë Kryeziu, “Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese”.

“Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”, ka thënë Kryeziu në një postim në Facebook.

Sipas tij, thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithëpërfshirje, “sfidohen nga vet veprimet dhe shterpësia e saj”.

“Kjo qeveri është jolegjitime dhe jokredibile pasi që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit. I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani”, ka shkruar ai.

Sipas tij, prioritet i Kosovës duhet të jetë manaxhimi efikas i pandemisë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike e lufta kundër krimit të organizuar../Zëri/