LVV: Reagimi i Thaçit për Asociacionin, njëjtë si hajni kur thërret “kapeni hajnin”

LVV: Reagimi i Thaçit për Asociacionin, njëjtë si hajni kur thërret “kapeni hajnin” – Lajmet e fundit



Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi sot, zyra e Presidentit ka lëshuar një komunikatë për media ku e ka cilësuar si të rrezikshme dhe të dëmshme idenë e diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga kryeministri Avdullah Hoti në Bruksel.

Në këtë komunikatë të Presidencës kërkohet që Kuvendi ta ndalojë Kryeministrin që të negociojë për çështje të brendshme, përmes një rezolute, ani pse sipas Vetëvendosjes një rezolutë e tillë është votuar nga Kuvendi në mars të këtij viti.

Vetëvendosje i ka kërkuar Thaçit që të distancohet dhe të marrë përgjegjësi për marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë në prill të vitit 2013 në Bruksel, pasi sipas tyre ajo marrëveshje është themeli i Asociacionit, që Vetëvendosje i referohet si “Zajdenicë”, transmeton Zeri.info.

“Nëse ”Zajednica” paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë Presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e prillit 2013, që është themeli i ”Zajednicës” që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ”Zajednicën” e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit”, thuhet në reagimin e VV-së.

Sipas kësaj partie, ky reagim i Presidentit sot, nuk është asgjë tjetër pos pafytyrësi që përpiqet të simulojë opozitarizmin.

“Pra, ai po shtiret, po e luan rolin, vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike, dhe për ta faktorizuar veten ndërkombëtarisht. A i ka numëruar Thaçi sa rezoluta të tilla ka pasur, e sa janë shkelur nga vetë personi që është President? Ai vetë, në cilësinë e Kryeministrit bashkë me Daçiqin hodhën themelet e ”Zajednicës”, që më pas e ndalëm me protesta mbarëqytetare”, thotë LVV-ja, për të shtuar:

“Kjo kundërshti mes Thaçit e Hotit është kundërshti e rreme e dy anëve të së njëjtës medalje, është kundërshti e ndarjes direkte të Kosovës me atë të bosnjëzimit për t’u ndarë më vonë. Dallimi i tyre është vetëm kohor. Ata që thonë se ”Zajednica” është obligim në fakt janë duke negociuar ndarjen. Ndërsa kinse-kundërshtarët e tyre, opozita e simuluar, të cilët ka kohë që kërkojnë ndarje, sot bëjnë thërrasin kundër Zajednicës që e krijuan vetë. Njëjtë si hajni kur thërret “kapeni hajnin””, thuhet në reagim.

Për Vetëvendosjen, Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj.

“”Zajednica” cenon rëndë rendin kushtetues dhe unitaritetin e shtetit. Ajo është e dëmshme dhe rrjedhimisht e papranueshme dhe nuk mund të zbatohet në Republikën e Kosovës e aq më pak të sillet nga një qeverisje e paligjshme, por Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj. Si themelues i kahmotshëm atij vetëm i ka mbetur merak pse nuk është Thaçi implementuesi, por kryeministri i tij kukull”.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, opinioni mbarëshqiptar, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe studiues të fushave të ndryshme kanë qenë në mënyrë konsekuente kundër marrëveshjeve që kanë rrudhur territorin dhe cenuar sovranitetin e vendit. Ne kemi kundërshtuar ”Zajednicën” Thaçi-Daçiq 2013 dhe atë Mustafa-Thaçi – Vuçiq- Daçiq 2015 sepse janë kundër rendit kushtetues dhe Republikës. Gatishmëria e kryeministrit të paligjshëm për ta ringjallur projektin famëkeq të Serbisë do të kundërshtohet siç janë kundërshtuar përpjekjet e padronëve të tij e që janë pikërisht këta nënshkrues”, përfundon reagimi i VV-së./Zëri/