“LYNX” si manifestim i forcës për të mbijetuar e triumfuar

“LYNX” si manifestim i forcës për të mbijetuar e triumfuar

Aspekti vizual u takon performancave që rrallë shihen jo veç në Kosovë. Njëkohësisht është prej “armëve” të forta që e fton publikun të ofrohet. E ata që kanë pritur në radhë për të hyrë në performancën e Astrit Ismailit në natën hapëse të “Manifesta 14” nuk ishin të paktë. Ismaili, i cili i takon komunitetit “Queer”, njihet për vepra ekstravagante. Por kur analizohet, shihet se ka punuar shumë për produktin dhe prek shumë dimensione.

Së bashku me Blerta Ismailin, Billy Morgan, Logan Muamba-Ndanou e Agnes Nokshiqin, performanca e Ismailit ka qenë ngjarja me të cilën edhe është hapur edicioni 100-ditor i bienales nomade të artit në Prishtinë. “LYNX” (Rrëqebulli) ka sjellë këngë, vallëzim, muzikë, skulptura e mbi të gjitha, një mozaik që prek shumë çështje.

Nëpërmjet lëvizjeve grupi ka bërë që koncentrimi i publikut të jetë maksimal. Komisionuar nga “Manifesta 14”, gjithçka ka mbajtur vulën e Ismailit i cili për gati një dekadë jeton në Amsterdam. Performuesit qëndrojnë të lidhur me penj. Ndërlidhja e tyre me instrumentet që njëkohësisht janë skulptura është e pandashme. Qysh në fillim, merret vesh se bëhet fjalë për kufizime. Bëhet fjalë për kufij gjeopolitikë, njerëzorë, natyrorë e çka jo tjetër. Ismaili është prej atyre artistëve që prekjen e kufijve e ka përditshmëri.

Ka hulumtuar për zhvillimin e ekosistemit, rrëqebullin ballanik si një kafshë që rrezikon zhdukjen. Po ashtu, historia e tij personale lidhet me kufizime, kujtime jo të mira e deri me plagë që duhet shëruar.

Në performancë fillimisht “gërmohet” në të kaluarën, në mënyrë që të bëhet një përballje me të. Përballja është e vështirë, por Ismaili ka futur edhe shenja trimërie e edhe të triumfit. Koreografia e konceptuar prej tij është punuar në detaje. KOHA e ka përcjellë atë edhe gjatë provave. Bëhet fjalë për një detajist që është në gjendje ta përsërisë kushedi sa herë një detaj, në mënyrë që të nxjerrë një produkt të përkryer.

“Para një viti e gjysmë kam filluar me këtë performancë. Fillimisht me zhvillimin e instrumentit që mban emrin ‘The Instrument’ bashkë me një bashkëpunëtor timin në Amsterdam. Kur më është bërë ftesa nga kuratorja, menjëherë kam propozuar këtë projekt. Gjatë hulumtimit kam filluar të lexoj për rrëqebullin e Ballkanit që besohet që janë rreth 30 në krejt Ballkanin. Pra është një prej shtazëve të egra në zhdukje”, ka thënë Ismaili. Në këtë rast ka treguar se jo vetëm shtazët po zhduken, por kjo po ndodh edhe me kultura e gjuhë të ndryshme. Performanca e tij sa herë shikohet, dalin elemente të reja. Ai ka treguar se në mënyrë indirekte merret jo veç me anën e errët të realitetit, por edhe me anën e qëndresës së komuniteteve edhe individëve që pavarësisht rrethanave, arrijnë të mbijetojnë.

“Pra manifestohet forca për mbijetesë”, ka thënë Ismaili gjatë një prej provave për performancën. Në natën hapëse të një prej ngjarjeve më të rëndësishme në botë sa i përket artit bashkëkohor që ka ndërhyrë në 25 lokacione dhe ka grumbulluar 103 artistë, Ismaili ka qenë ylli i mbrëmjes.

Si manifestim i thyerjes së disa kufijve, gjatë performancës Ismaili në lojë e sipër ka dalë nga Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë dhe ka vazhduar lojën krahas publikut të mbledhur jashtë. Performanca ka goxha intensitet në disa momente. Vuajtjet, përballja me realitet e triumfi preken nga disa dimensione.

“Instrumentet jo veç që bëjnë tingull, por janë edhe pjesë të skenografisë. Është një komentim i limiteve e kufijve jo veç gjeopolitik, por edhe shpirtëror e intim”, ka thënë Ismaili, i cili është i lindur e i rritur në Prishtinë.

“Kam përjetuar luftën e periudhën pas luftës në një realitet goxha të vrazhdë. Komuniteti ‘Queer’ nuk ka pasur ndonjëfarë skene. Tash ka ndërruar për të mirë. Por ka qenë një ambient i rëndë për mua. Tash të kthehem me këtë performancë është një ballafaqim me të kaluarën”, ka thënë Ismaili, derisa ka përshkruar skenat e performancës. Është i njohur gjithandej si artist që luan me kufij. Ballafaqimin me Prishtinën nuk e ka pasur të lehtë. Këtë e ka thënë disa herë.

“Pas skenës së parë është një këngë për lulen e parë. Bimët realisht nuk kanë pasur lule fillimisht për qindra mijëra vjet. Agjentë e vetëm që kanë ndikuar në riprodhim është era. Më pas janë bërë lulet dhe ka ndryshuar krejt ekosistemi”, ka thënë ai. Performancës kah fundi i bashkohet edhe motra e tij, Blerta Ismaili. Përderisa ajo këndon, Ismaili performon me tepsi, një prej lojërave tradicionale të këtyre anëve që është e njohur sidomos te gjeneratat e vjetra.

“Me instrumentet ne gjatë gjithë kohës jemi të lidhur dhe bëjmë forma interesante e kreative. Ideja është se si të gjesh forma kreative dhe kënaqësi kur je i limituar”, ka thënë Ismaili. Njëkohësisht nëpërmjet lojës, ka dëshmuar se limitet për të nuk ekzistojnë.

“Manifesta” ku edhe performoi ai, u konceptua në fillim të viteve 1990 si një bienale nomade, evropiane e artit bashkëkohor, duke iu përgjigjur realitetit të ri shoqëror, kulturor dhe politik që u shfaq si pasojë e Luftës së Ftohtë. Pas dëshirës për të eksploruar territorin psikologjik dhe gjeografik të Evropës dhe për të ofruar një platformë dinamike për shkëmbimin kulturor në të gjithë rajonin, kjo bienale zhvillohet çdo dy vjet në një qytet të ndryshëm evropian. “Manifesta” konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit në Evropë. Gjatë dhjetë bienaleve dhe njëzet vjetëve, më shumë se 2.5 milionë njerëz kanë vizituar ngjarjet e “Manifestas” dhe kanë marrë pjesë në programet e saj. Tash në edicionin e 14-të, e fokusuar në Kosovë, synon ta bëjë Prishtinën qendër të artit bashkëkohor. Bashkë me 120 kolegë të tjerë, Ismaili është pjesë e qytetit që këto ditë konsiderohet edhe si muzeu i artit bashkëkohor i shpërndarë gjithandej lagjeve.