MB-ja njofton për pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21” në Shqipëri

MB-ja njofton për pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21” në Shqipëri – Lajmet e fundit



Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më të madhe në rajon, “Defender-Europe 21”.

“Defender-Europe 21” është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, e përbashkët, shumëkombëshe, e dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve të tjerë.

Ministria e Mbrojtjes thotë se ushtarët e FSK-së radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s do të zbarkojnë në Kosovë; në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë amerikane, pjesëtarë të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA-së, si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s”, thuhet në njoftim.

Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse ushtrimi fushor do të realizohet në zonën e trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës.

Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do ta bëjë ekipi vlerësues i KDS-së në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade – SFAB).

Përmes këtij njoftimi theksohet se pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.

“Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, do të mbajë konferencë për media, më datën 6 maj 2021, duke filluar nga ora 14:30”, theksohet tutje në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. /Zëri

Image