Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për hulumtimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës

Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për hulumtimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës

Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99.

Komisioni Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99, themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, sot në praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe anëtarëve të komisionit mbajtën takimin e parë konstituiv.

“Themelimi i Komisionit shtetëror për dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, ka një rëndësi madhore. Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar, i cili nuk është vetëm dëm material”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ai gjithashtu theksoi se ky komision është pjesë e nismave të Qeverisë për të adresuar të kaluarën, që përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Tranzicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, e që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën.
Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili edhe udhëhoqi takimin e parë të komisionit foli për rëndësinë me të cilën do të trajtohet kjo cështje.

“23 vite pas luftës së viteve 1998 – 1999 kur krahas humbjeve fatale të jetës së njerëzve dhe dëmeve materiale, janë shkatërruar qëllimshëm monumentet e trashëgimisë kulturore për herë të parë kemi ndërrmarë nismën për të kërkuar drejtësi për vlerat e shkatërruara. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, u shpreh ministri Çeku.

Në takimin e parë u bë njoftimi për fushëveprimin e komisionit, planin e punës, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të komisionit. U diskutua për pikëpamjet e ndryshme të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore për gjatëve 1998-99, për qasjen e dokumentimit dhe rolin e komisionit në këtë aspekt si dhe metodologjinë e punës që duhet ndjekur nga komisioni shtetëror. / KultPlus.com