Mbërrijnë 100 mijë doza të tjera vaksinash në Shqipëri

Mbërrijnë 100 mijë doza të tjera vaksinash në Shqipëri – Lajmet e fundit



Kanë mbërritur pasditen e kësaj të enjteje në Shqipëri 100 mijë doza të tjera vaksinash kineze “Sinovac”. Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë në faqen e tij zyrtare momentin e mbërritjes së tyre në Aeroportin e Rinasit.

“Me një ditë vonesë për shkak të tentativës çmendurake për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve, mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera anticovid”, shkroi Rama.

Në Aeroportin e Rinasit kontingjentin e vaksinave kineze e pritën tre ministrat e mazhorancës; Belinda Balluku, Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se me këto ritme do të realizohet plani që brenda muajit maj të jenë vaksinuar 500 mijë qytetarë.

“Kjo i shërben vaskinimit të popullatës në përpjekje që të kemi kryer 500 mijë vaksinime deri në muajin maj”, tha ajo.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj u shpreh se një ditë më parë Këshilli i Ministrave ka dhënë autorizimin për të negociuar marrjen e 50 mijë dozave të tjera të vaksinës ruse “Sputnik V”.

“Asgjë s’do na ndalojë të bëjmë 500 mijë vaksinime për qytetarët. Siç e shikoni numrat janë në rënie. Ne kemi filluar ta mundim atë flamë dhe plani i vaksinimit do të vijojë me shpejtësi për të realizuar ato objektiva që kemi. Ne jemi duke negociuar me vende mike, me prodhues edhe me distributorë të tjerë të autorizuar. Dje kemi marrë autorizimin nga Këshilli i Ministrave, për të negociuar përfundimisht për 50 mijë doza “Sputnik V””, tha Ahmetaj.

Ardhja e vaksinave kineze është pjesë e marrëveshjes së finalizuar ditë më parë, ku Shqipëria ka firmosur për të marrë 1 milion vaksina “Sinovac”./euronewsalbania