Mbesa e Thaçit akuzon Vjosa Osmanin për qasje selektive në Kuvend

Mbesa e Thaçit akuzon Vjosa Osmanin për qasje selektive në Kuvend – Lajmet e fundit



Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Evgjenie Thaçi, e ka akuzuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, për qasje selektive dhe diskriminim ndaj deputetëve të PDK-së.

Ajo thotë se në Kuvend po tolerohen sulmet verbale nga ana e deputetëve të LVV-së ndaj atyre të PDK-së, por asnjëherë sipas saj këto sulme që shkojnë deri në kufi të sulmeve fizike nuk po dënohen, përcjell “Zëri.info”.

“Qasja selektive ndaj gjuhës parlamentare dhe diskriminimi i deputetëve të PDK-së nga ana e kryetares së Kuvendit të Kosovës është e pa precedent. Sulmet verbale që shkojnë në kufi të sulmeve fizike nga ana e disa deputetëve të Vetëvendosjes ndaj deputetëve të PDK-së (siç ishte rasti i mbrëmshëm i Fitore Pacollit ndaj Ganimete Musliut), jo vetëm që tolerohen dhe nuk dënohen, por shumë shpesh edhe inkurajohen”, është shprehur ajo.

Thaçi mendon se disa situata në Kuvend me të cilat po përballet Vjosa Osmani, janë të improvizuara dhe strategji për ngritje politike.

“Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit në vend që të drejtojë seancat në mënyrë të drejt dhe të paanshme, ajo improvizon situata të cilat i përdor në strategjinë e saj të vjetër për ngritje politike: ‘sindroma e viktimizimit’.Ftoj të gjithë deputetet ta marrin seriozisht këtë situatë, dhe mos ta lënë Kuvendin që të kthehet në një institucion autokratik, që përdoret për bullizëm politik e për të cilin druaj se veç se ka filluar ta humbas funksionin dhe natyrën e tij përfaqësuese e legjislative”, ka shkruar Thaçi./Zëri