Mbeti peng i rrëzimit të qeverive, MSH-ja thotë se po e bënë plotësim-ndryshimin e ligjit për Sigurime Shëndetësore

Mbeti peng i rrëzimit të qeverive, MSH-ja thotë se po e bënë plotësim-ndryshimin e ligjit për Sigurime Shëndetësore – Lajmet e fundit



Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Armend Zemaj është duke e bërë plotësim-ndryshimin e Projektligjin për Sigurime Shëndetësore, ligj ky që ekziston tash e 6 vite.

Ligji për Sigurimet Shëndetësore është hartuar 6 vjet më parë. Disa nene të tij është dashur të amendamentohen që nga viti 2016.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nuk kishte arritur ta dërgojë atë në Kuvend, pasi që ishte rrëzuar qeveria, njëjtë kishte ndodhur edhe me qeverisjen e kaluar.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për lajmi.net ka thënë se janë duke e bërë plotësim-ndryshimin e këtij ligji. Por nuk kanë treguar qartë se kur do të përfundohet.

“Ky ligj është në agjendën legjislative të MSH-së për ketë vit dhe i njëjti është duke u plotësuar dhe ndryshuar, sepse plotësim-ndryshimi i tij nuk është arritur të behët në mandatin e kaluar për shkak të rënies se dy qeverive radhazi. Duhen bërë disa ndryshime më qellim që të mund të fillojë skema e sigurimeve shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndërsa nga Fondi për Sigurime Shëndetësore kanë thënë se ligji është në proces të draftimit të tij.

“Grupi punues për hartimin e plotësim/ndryshimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore është në proces të drafitmit të tij. Shumë shpejtë do të dërgohet drafti i punuar nga grupi punues në MSH”, thuhet në përgjigjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ndërkohë, në shkurt të viti 2019, nga Ministria e Shëndetësisë, që në atë kohë ishte nën udhëheqje të Uran Ismailit, kishin thënë për lajmi.net se përfundimi i këtij Projektligji është çështje javësh.

Por ky projektligj nuk arriti të shkojë në Qeveri dhe Kuvend për miratim, për shkak se ajo u rrëzua.