Mbyllen sfidat e para çerekfinale të Europa League, Roma mposht me përmbysje Ajaxin - rezultatet

Mbyllen sfidat e para çerekfinale të Europa League, Roma mposht me përmbysje Ajaxin – rezultatet

Janë luajtur katër ndeshjet e para për çerekfinalet e Ligës së Europës, ku nuk kanë munguar edhe rezultatet pozitive, njofton Insajderi.

Roma ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, teksa ka mposhtur me përmbysje Ajaxin, me rezultatin 1-2. Holandezët e mbyllën pjesën e parë në avantazhin e një goli, por në pjesën e dytë ‘verdhekuqtë’ përmbysën gjithçka, me golat e Pellegrinit (57’) dhe Ibanez (87’).

Arsenali është shtangur në shtëpi nga Slavia Pragë. Londinezët zhbllokuan sfidën në minutën e 86-të, teksa kaluan në avantazh me Pepe, por çekët barazuan shifrat në minutën e 94-të me Holes.

Manchester United nuk ka zhgënjyer në transfertë ndaj Granadës, teksa ka triumfuar me rezultatin 0-2, falë golave të Rashford (31’) dhe Bruno Fernandes (90’) nga penalltia.

Fitore ka korrur edhe Villarreali, që ka mposhtur mimimalisht Dinamon e Zagrebit në transfertë, me golin e Morenos nga pika e bardhë e penalltisë (44’).

Ndeshjet e kthimit për çerekfinalet e Europa League zhvillohen javën e ardhshme, të enjten me 15 prill me fillim nga ora 21:00. /Insajderi.com