Mbyllet një fabrikë në Prizren pasi njëri nga punëtorët doli pozitiv me COVID-19

Mbyllet një fabrikë në Prizren pasi njëri nga punëtorët doli pozitiv me COVID-19 – Lajmet e fundit



Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu, ka bërë të ditur se kanë marrë vendim të mbyllin një fabrikë në Prizren, pasi një punëtor i kësaj fabrike ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Nga rastet e para dy ditëve, ku në Prizren ishin 8 persona pozitivë, njëri nga ta ishte punëtor i kësaj fabrike, ndërkaq në mesin e tyre ishte edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

“Nga tetë rastet e dala pardje, njëri ndër personat ka qenë punëtor i një fabrike dhe u dakorduam edhe me institucionet shëndetësore dhe me pronarët e kësaj fabrike që të mbyllet për një afat të pacaktuar kjo kompani, pasi duhet të testohen të gjitha rastet e kontaktit me këtë person”, tha Shehu.

Gjithashtu, Shehu bëri të ditur se janë dezinfektuar objektet e stacionit policor “Alfa” dhe objekti i zjarrfikësve, pasi një pjesëtar i Policisë së Kosovës kishte rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.

“Pardje që kanë dalë rastet e reja është bërë edhe dezinfektimi i stacionit ‘Alfa’, pasi njëri nga të infektuarit është pjesëtar i Policisë, pastaj edhe hapësira e objektit të zjarrfikësve u dezinfektua, duke qenë se gjendet shumë afër me stacionin ‘Alfa’”, tha Shehu për “RTV Dukagjinin”.

Ai bëri të ditur se në Prizren 101 persona janë gjithsej që kanë rezultuar të infektuar me COVID-19, 67 prej të cilëve janë shëruar, 2 kanë ndërruar jetë dhe janë 32 raste aktive, ku sipas tij pjesa më e madhe janë në shtëpi në gjendje stabile.

“Në Klinikën Infektive të QKUK-së gjenden 3 pacientë, 2 prej të cilëve janë në gjendje stabile, kurse njëri është në një gjendje pak më të rëndë me oksigjenoterapi”, tha Shehu. Ai ka thënë se është vërejtur një numër më i madh i qytetarëve të cilët dalin duke mos e respektuar orarin dhe pa maska e doreza mbrojtëse, prandaj edhe bëri apel tek të gjithë qytetarët të respektojnë vendimet e marra nga institucionet shëndetësore.