Me shpresë morbide dhe pesimizëm gazmor: doracaku i filozofit Alain de Botton për kohën e koronës

Me shpresë morbide dhe pesimizëm gazmor: doracaku i filozofit Alain de Botton për kohën e koronës

Alain de Botton është filozof britaniko-zviceran dhe autor i disa veprave të popullarizuara mbi shqetësimet e individit modern. Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” ai ka folur për botën dhe jetën në kohën e koronës. Këto janë këshillat e tij.

Zgjidhja e vetme në këtë kohë, thotë Alain de Botton, është pesimizmi. Bëhu gati për t’u përballur me më të keqen. “Kam frikë se do të kalojë shumë kohë derisa të kthehemi në normalitetin që e njohim”, thotë ai. Megjithatë, pandemia i ka bërë të mundshme disa gjëra që dukeshin të pamundshme. “Në përditshmërinë tonë shpesh dëgjojmë të thuhet, jo, kjo nuk është e mundshme, kjo duhet të bëhet kështu. Befas është e mundur që të ndryshohet mësimi në shkolla, që strukturat e spitaleve t’i përshtaten shpejt situatës se re. Çfarë ka zgjatur me dekada dikur, tani është e mundshme brenda një pasdite”, thotë Alain de Botton për “Süddeutsche Zeitung”.

“Nëse vitin e kaluar dikush do t’u kishte thënë se në janar do të përballemi me krizën më të tmerrshme ekonomike në 200 vitet e fundit, për shkak se dikush në Kinë e ka ngrënë një lakuriq, dhe kjo për dikë do të duket si fundi i civilizimit, shumica me gjasë do të kishin bërtitur. Bill Gates ka paralajmëruar para 5 viteve se mund të përballemi me një pandemi. Ai ka qenë i përgatitur. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë: një pesimizëm gazmor, shoqëruar me humor morbid dhe shpresë morbide”.

Alain de Botton beson se pandemia i shtyn njerëzit të mendojnë nëse kanë nevojë për të gjitha gjërat. “A na duhen vërtet të gjitha këto? A na bëjnë të lumtur? Mos po e shkatërrojmë planetin? Shumë njerëz pikërisht tani konstatojnë se shumë gjëra nuk na duhen për të jetuar. Shumëçka nga ajo që konsumojmë bazohet në atë se duam të jemi të respektuar, të pëlqyer, të adhuruar, të vlerësuar dhe të pranuar nga të tjerët”.

Metoda më e mirë për të gjetur qetësi shpirtërore, sipas Alain de Botton, është të kemi parasysh skenarët më të këqij. “Duhet ta kemi të qartë se nuk ka siguri të plotë. Filozofi francez Michel de Montaigne ka thënë se dyshimet janë një jastëk i mirë për një kokë të balancuar”.

Ku bazohen shqetësimet tona? Ky është shpjegimi i Alain de Botton: “Shqetësimet dhe frika janë përpjekje të dëshpëruara të mendjes sonë për të pasur nën kontroll të panjohurën, të pakontrollueshmen. Por ne nuk kemi guxim që ato t’i shikojmë në sy. Për këtë arsye aq shumë njerëz vuajnë nga pagjumësia, sepse në gjumë mendja jonë hakmerret për të gjitha mendimet, të cilat gjatë ditës i injorojmë. Këto mendime na zgjojnë natën në orën tre dhe na thonë: na dëgjo! Na ndihmon nëse shkruajmë për frikën që ndiejmë, nëse ballafaqohemi me të. Duhet të arrijmë atë gjendje, në të cilën shqetësimet tona na duken vetëm monotone”.

A mund të mësojmë diçka nga historia? Gjithsesi, sipas Alain de Botton: “Historia na mëson se njerëzit i kanë mbijetuar katastrofat dhe tragjeditë natyrore. Historia na bën gjyshër. Prindërit përherë kanë frikë, ata thonë, fëmija im nuk po mëson sa duhet, ai ka pak shokë, ajo ende nuk ia ka nisur të ecë. Po gjyshërit tanë? Ata janë të qetë dhe të rehatshëm. Pse? Sepse kanë jetuar më gjatë. Duhet të jemi të qetë si gjyshërit tanë”. /E.R.