Më shumë para’ për bebet - 61 milionë euro për 3 vitet e ardhshme, bien pagesat e papunësisë

Më shumë para’ për bebet – 61 milionë euro për 3 vitet e ardhshme, bien pagesat e papunësisë

Qeveria ka parashikuar të rrisë buxhetin e akorduar për nënat që sjellin në jetë fëmijë në 3 vitet e ardhshme. Kështu në kuadrin makroekonomik fiskal 2021-2023 planifikiohet që shpenzimet për bonusin e bebeve të rriten gradualisht. Konkretisht nga 2 miliardë lekë që ishin akorduar në 2020-ën, vlera planifikohet të rritet në 2.4 miliardë lekë në 2021-shin, 2.5 miliardë në 2022-shin, duke arritur në 2.7 miliardë lekë në vitin 2023.

Në total për tre vitet e ardhshme parashikohet të shpenzohen për këtë qëllim 7.6 miliardë lekë apo rreth 61 milionë euro. Qeveria aplikoi bonusin e bebeve si politikë për rritjen e lindshmërisë në vend, duke ofruar 40 mijë lekë për beben  parë, 80 për beben e  dytë dhe 120 mijë lekë për foshnjen e tretë.

Sa i takon shpenzimeve të tjera me natyrë sociale, në shifrat e kuadrit makroekonomik fiskal të Ministrisë së Financave, vihet re një ulje e pagesës së papunësisë në raport me vitin 2020, me rreth 200 milionë lekë, ku për secilin vit përgjatë peridhës 2021-2023 do të akordohen 600 milionë lekë, ndërsa  nga ana tjetër parashikohet një rritje e lehtë,  graduale e fondeve që akordohen për ndihmën ekonomike, duke arritur në 22 miliardë lekë në 2023-shin, nga 21 miliardë lekë që u akorduan gjatë këtij viti.

Elisabeta Dosku / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.