Më shumë “Whatsapp” dhe “Viber”, më pak telefonata - Të ardhurat e operatorëve celularë ranë me 9% gjatë 2020, në total 230 milionë dollarë

Më shumë “Whatsapp” dhe “Viber”, më pak telefonata – Të ardhurat e operatorëve celularë ranë me 9% gjatë 2020, në total 230 milionë dollarë

Të ardhurat e operatorëve celularë në Shqipëri kanë shënuar një rënie të fortë gjatë vitit 2020. Sipas shifrave të raportuara nga AKEP, rënia e arkëtimeve për gjithë ofruesit e këtij shërbimi arrin në rreth 20 milionë dollarë për vitin e shkuar.

Në tregun e ofrimit të shërbimeve celulare gjatë vitit 2020 operatorët kanë raportuar rreth  23.9 miliardë lekë të ardhura, afërsisht 230 milionë dollarë, e cila përbën një tkurrje me rreth 9% krahasuar me vitin 2019. Kjo rënie në të ardhurat e operatorëve celularë është afektuar nga ulja e të ardhurave të gjeneruara në të dy tregjet, atë të pakicës dhe tregun e shërbimet me shumicë. Ndër faktorët kryesorë të cilët kanë ndikuar në rënien e të ardhurave AKEP përmend së pari uljen e volumit të thirrjeve kombëtare/ndërkombëtare si rezultat i përdorimit masiv të aplikacioneve (Whatsapp, viber, etj.) të cilat kanë pasur një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe përmirësimit të cilësisë së internetit; dhe së dyti, rënia e të ardhurave të gjeneruara nga shitja e paketave bundles me pakicë.

Megjithatë, nënvizon AKEP, pavarësisht  uljes  së  nivelit  të  të  ardhurave  totale  nga  viti  2019,  gjatë  vitit  2020  operatorët  e  shërbimeve  celulare e kanë rritur ndjeshëm nivelin e investimeve në këto rrjete. Kjo shihet në përmirësimin e shërbimeve broadband, si edhe në përmirësimin e cilësisë së thirrjeve zanore. Në fund të vitit 2020 kjo shifër arriti në 6.9 miliardë lekë, nga rreth 4.2 miliardë lekë për vitin 2019.

Të ardhurat nga komunikimet elektronike, të raportuara nga ofruesit e shërbimeve nga rrjetet fikse për vitin 2020, ishin 9.55 miliardë lekë. Kjo përbën një rritje me rreth 6% krahasuar me vitin 2019.

Lorenc Rabeta / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.