Më thuaj me kë punon, të të them kush je…

Më thuaj me kë punon, të të them kush je…

Më kujtohet si të ish dje këshilla e gjyshit në ditën e parë të shkollës: “Ulu pranë më të mirit të klasës”. Një këshillë e cila m’u duk e parëndësishme, por në fakt fshihte shumë mençuri.

Shumë vite më vonë në punë, rigjeta të njëjtin koncept gjatë një mbledhje, të shprehur në një thënie të Konfucit: “Nëse jeni njeriu më inteligjent në dhomë, jeni padyshim, në dhomën e gabuar”.

Studime të shumta tregojnë se si ekosistemi i marrëdhënieve në të cilat jeni të zhytur ndikon në ecurinë e njerëzve, në shkollë, në punë, në botën artistike dhe atë sportive.

Të qenët në kontakt me njerëz të aftë, të cilët ju shtyjnë të ecni përpara, është thelbësore: mësoni më parë dhe më shumë, sfidoheni, hyni në kontakt me ide të mira (të cilat ju ndihmojnë të keni idetë tuaja), njihni bashkëpunëtorët e ardhshëm të sipërmarrjes së të ardhmes. Renditja e pasojave të dobishme të të qenët “afër pranë më të mirëve të klasës” mund të vijojë për orë të tëra.

Për shumë kohë, ky ndërgjegjësim ishte prerogativë e menaxherëve të karrierës, të profesionistëve të mëdhenj dhe akademikëve të mëdhenj, ndërsa pjesa tjetër e botës së punës në tërësi, mund të mbetej e huaj ndaj kësaj logjike të “qëndroni pranë atyre që janë më të mirë se ju”.

Aty ku kishte një punë fikse dhe pak konkurrencë nuk kishte stimuj të mjaftueshëm për të kërkuar krahasimin me kampionët. Duke bashkëpunuar dhe duke ndërvepruar me kolegë shumë të aftë, në fakt bënte diferencën, por vetëm në një farë pike.

Mund të ishit një i punësuar, një operator, një profesionist i suksesshëm, pavarësisht cilësisë së lidhjeve tuaja të punës.

Sot në botën e konkurrencës globale, të revolucionit dixhital dhe të inovacionit të vazhdueshëm (duhet të mësoni diçka çdo ditë), puna jonë është gjithnjë e më pak ekzekutuese dhe gjithnjë e më shumë kontribut krijues dhe i specializuar, në kontekste komplekse dhe të paqëndrueshme.

Në këtë skenar, cilësia e punës sonë mund të bëjë ndryshim, por varet shumë nga mënyra se si puna jonë ndërvepron me ato të kolegëve të skuadrës.

Vlera jonë është gjithnjë e më e lidhur se sa të aftë, kompetentë, të motivuar, të pasionuar dhe krijues janë njerëzit me të cilët bashkëpunojmë. Nuk e kam fjalën domosdoshmërisht për kolegët. Ju mund të krijoni një skuadër edhe me klientë e furnitorë. E rëndësishme është që të bëhet fjalë për bashkëpunime të strukturuara, “një ekip i vërtetë”.

Është shumë e lehtë të dallosh këtë dinamikë në jetën e përditshme të punës. Nga ana tjetër, është më e vështirë ta peshojmë saktë kur duhet të marrim vendime të rëndësishme për karrierën tonë. Në veçanti, duhet të analizohen tre situata:

 

1)  Kur vendosim të ndryshojmë punë. Pyetjet që i bëjmë vetes kur vlerësojmë të ndryshojmë punë janë zakonisht “sa do të fitoj”, “cilat do të jenë përgjegjësitë e mia”, “sa do të më tërheqë sfida”. Zakonisht priremi të heqim dorë nga një prej tre kritereve, nëse dy të tjerët ofrojnë përgjigje më të kënaqshme.

Sigurisht vlerësojmë edhe cilësinë e njerëzve që na rrethojnë aktualisht dhe do të na rrethonin në punën e re. Ky kriter, megjithatë, konsiderohet shpesh dytësor, por në fakt, nuk duhet të jetë. Duhet të vlejë të paktën sa tre të parët që përmendëm më sipër.

Nëse në një punë që na duket si më e bukura në botë gjejmë bashkëpunëtorë që nuk janë nxitës, “ipso facto” (menjëherë) ajo nuk është më, më e bukura në botë.

Vlerësimi i profilit të kolegëve tanë të ardhshëm (por edhe të atyre aktualë që shpesh i nënvlerësojmë) duhet të jetë i thelluar gjatë tranzicionit të karrierës. Duhet të përpiqemi t’i njohim më mirë para se të vendosim, ose të paktën le të përpiqemi të thellojmë kurrikulën e tyre.

 

2) Kur vendosim një kalim në forma radikale të smart working. Sot për shumë prej nesh, puna në distancë është gjithnjë, ose thuajse gjithmonë, një opsion i zbatueshëm. Personalisht besoj se nëse ajo që po them në këtë artikull është e vërtetë, atëherë puna në distancë është një mundësi që duhet marrë me pak rezervë. Bashkëpunimi në distancë, në fakt, nuk është një bashkëpunim i plotë.

Jeta nuk është një videokonferencë. Videokonferenca shërben për të na përcjellë informacione dhe për të diskutuar. Bashkëpunimi, megjithatë, nuk do të thotë thjesht të përçosh informacione dhe të diskutosh. Do të thotë, fjalë për fjalë, të kalosh kohë së bashku, në të njëjtin vend, me mendjen në të njëjtin problem.

 

3)  Kur mendojmë të hapim biznesin tonë. Rreth një e treta e punës në SHBA përbëhet nga free lance. Kjo është një tendencë në rritje në të gjithë ekonomitë e zhvilluara. Ata që po planifikojnë këtë lloj të ardhmeje pune duhet të kenë parasysh me kujdes se sado të rralla dhe të çmuara janë aftësitë e tyre, vetmia i bën ata të plaken shpejt.

Në fund të fundit duhet të jemi të bindur se rrugëtimi i karrierës do t’i ngjajë gjithnjë e më shumë rrugës së një sportisti.

Pavarësisht nëse është një sport individual ose një sport skuadre, ekosistemi me të cilin përballeni do të ndryshojë menjëherë nivelin e performancës suaj. Bëni kujdes të mos ngatërroni këshillën Konfucit nga ku u nisëm, me një ftesë banale për t’iu përkushtuar të ashtuquajturit networking.

Pjesëmarrja në ngjarjet e korporatave për të shkëmbyer përvoja ose rritja e numrit të ndjekësve dhe ndërveprimeve në LinkedIn janë aktivitete të dobishme, por ato nuk kanë të bëjnë fare me rritjen profesionale nëpërmjet ndërveprimit me të tjerët.

Përfitimet e ndërveprimit me kolegët vijnë kur punohet për të njëjtët projekte, jo në mënyrë rastësore, por sistematike. Të luash tenis me mikun e vjetër të shkëlqyer në Universitet mund t’ju shërbejë të fitoni ndonjë mundësi më shumë, por nuk ju bën më të aftë. Për t’u bërë të tillë duhet të gjeni mënyrën për të punuar krah për krah me atë mik në një projekt.

Për këtë arsye, ata që gjejnë një pozicion pune që priren drejt “vetmisë” duhet të shohin mundësi për ndarjen e projekteve me ekipe të kualifikuara dhe të angazhuara për sfida interesante, edhe nëse kjo mund të nënkuptojë humbjen e njëfarë autonomie dhe/ose përjetimin e stresit të krahasimit dhe pamjaftueshmërisë.

E për ta mbyllur le të parafrazojmë Konfucin: “A doni të dini të vërtetën për punën tuaj? Shikoni rreth e qark dhe përshkruani kolegët rreth jush”.

/ * Lorenzo Cavalieri, managing director i shoqërisë së formimit dhe konsulencës Sparring, Il Sole 24 Ore