Mehaj: Beogradi përmes propagandës po krijon ndjenjën e pasigurisë në veri të vendit

Mehaj: Beogradi përmes propagandës po krijon ndjenjën e pasigurisë në veri të vendit – Lajmet e fundit



Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka akuzuar Beogradin se është duke e vazhduar propogandën kundër Kosovës.

Sipas tij, Serbia çdo ditë prodhon lajme të rreme në mënyrë që të krijojë ndjenjën e pasigurisë dhe destabilitetit në Kosovë, shkruan Zeri.info.

“Beogradi po e dëshmon sërish atë që ka dëshmuar gjithmonë, që është prodhuesi më i madh i propagandës dhe lajmeve të rreme, për arritjen e qëllimeve të tyre që nuk përkojnë me demokracinë, paqen dhe stabilitetin, nuk kanë zgjedhur as forma as mjete”, ka thënë Mehaj.

Ministri më tej ka thënë se serbët janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm t’ua lënë fajin shqiparëve.

“Rastet e tilla janë ende të freskëta për ne, kujtojmë rastin “Panda” ku u vranë gjashtë të rinj serbë, nga vetë forcat serbe dhe për këtë u akuzuan shqiptarët, ky rast më së miri dëshmon që propaganda serbe vazhdon deri në pa kufi”, shkroi ai në Facebook.

Mehaj ndër të tjera ka thënë se kjo fushatë urrejtje po ndodhë me qëllim në para takimit të Kurtit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Në vazhdimësinë e lajmeve të rreme, mediat serbe kanë publikuar lajmin kinse në veri të vendit kanë qarkulluar dy automjete të ushtrisë së Kosovës, ky lajm është i pa vërtetë, është lajm i rremë”, shkroi ai. /Zëri