Merr formë bursa shqiptare. ALREG nis operimin në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe AIPS

Merr formë bursa shqiptare. ALREG nis operimin në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe AIPS

Operatori i sistemit të shlyerjes së Titujve ALREG, nisi të hënën operimin nëpërmjet anëtarësimit në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS. Subjekti ALREG sh.a. është licencuar bashkërisht nga Banka e Shqipërisë si operator i sistemit për shlyerjen e titujve dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si regjistrar duke përmbushur kështu kërkesat ligjore për t’u konsideruar një Depozitar Qendror i Titujve sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi. Gjatë një interviste për TV SCAN, drejtor i Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a., Artan Gjergji, u shpreh se ky anëtarësim është parakusht i nevojshëm për funksionimin e këtij sistemi të shlyerjes së titujve sipas praktikave më të mira ndërkombëtare duke garantuar maksimalisht finalitetin e shlyerjes dhe mbrojtjen e sistemit dhe të pjesëmarrësve në të.

“Tashmë kemi arritur me sukses të kemi të gjithë arkitekturën të gatshme jo vetëm për të lsituar, pasi kjo është vetëm një anë e medaljes, por duhet të ndryshojë edhe pronësi nga ana tjetër. Kshu që besoj nga pranvera e këtij viti arkitektura është e plotë dhe e licencuar dhe brusa do të jetë gati.”

Sipas Gjergjit, tashmë pritet që në Bursën Shqiptare të Titujve të nisin listimet e kompanive të para.

“Interesi nuk mungon. Ne jemi shumë afër biznesit në kontaktet e përditshme, qoftë edhe për të shpjeguar procedurat  por edhe për tu shpjeguar alternativat he përfitimet që ka biznesi në bursë. Brenda 2021 do të kemi një kompani që do të listojë tituj të borxhit fillimisht.”

Plotësimi dhe funksionimi i të gjithë infrastrukturës së nevojshme për procesimin e transaksioneve pas tregtimit në bursë shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve të kapitalit dhe në përgjithësi tregjeve financiare, duke dhënë kështu një kontribut shtesë në nxitjen e formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë.

Roel Korkuti / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.