Mesazhi në kryeveprën “Britma” hap kapitull të ri në biografinë e Munchut

Mesazhi në kryeveprën “Britma” hap kapitull të ri në biografinë e Munchut

Shumë pak e dukshme në krye të këndit në anën e majtë të pikturës, që është në mesin e më të njohurave në botë, janë shkruar fjalët: “Mund të jetë pikturuar vetëm nga një i çmendur!”. Për shumë vjet, kuratorët dhe historianët e artit kanë menduar se kush e ka shkruar atë. Pas debateve që zgjatën me dekada, ekspertët e konfirmuan këtë javë se vetë artisti Edvard Munch është ai që e kishte lënë këtë shkrim në veprën e tij më të famshme, “The Scream”. (Britma)

Muzeu Kombëtar i Norvegjisë në Oslo ka bërë të ditur se ka qenë një kritik danez i artit i cili e ka hetuar mbishkrimin i pari, gjatë një ekspozite në Kopenhagë në vitin 1904. Ishte menduar se dikush nga vizitorët e kishte shkruar këtë si një akt vandalizmi.

Nëpërmjet skanerëve me rreze infra të kuqe – e që nuk ndikojnë në pikturë – është konfirmuar se Munchu këtë fjali në qoshe të pikturës e kishte shkruar me laps tek pasi e kishte përfunduar veprën. Muzeu ka analizuar dorëshkrimin dhe e ka krahasuar me ditarin e Munch dhe me letrat që i kishte shkruar ai.

“Shkrimi është pa dyshim i artistit”, ka thënë Mai Britt Guleng, kurator në Muzeut Kombëtar të Norvegjisë. “Vetë dorëshkrimi, si dhe ngjarjet që ndodhën në vitin 1895, kur Munch e shfaqi pikturën në Norvegji për herë të parë, të shpien në të njëjtin drejtim”.

Muzeu e ka konfirmuar origjinalitetin e shkrimit përderisa piktura po përgatitet për ekspozitën e vitit të ardhshëm në Oslo, në qytetin ku maestroja i lindur më 1863 vdiq më 1944.

“Shkrimi çdo herë ka qenë i dukshëm për syrin e njeriut, por ka qenë shumë e vështirë për ta interpretuar”, ka thënë Thierry Ford, konservues i pikturave në Muzeun Kombëtar të Norvegjisë. “Me mikroskop, ju mund të shihni se vijat e lapsit janë të vendosura mbi pikturë dhe se janë realizuar pasi që piktura është përfunduar”.

Pasi që “The Scream” ishte ekspozuar në vitin 1895, Munch kishte marrë kritika të rrepta, përfshirë edhe ato nga komuniteti artistik dhe nga një student i mjekësisë, Johan Scharffenberg, që kishte vënë në pikëpyetje gjendjen e tij mendore gjatë një debati ku ishte prezent edhe Munch.

Henrik Grosch, drejtori i “Museum of Decorative Arts and Design” në Norvegji, ka shkruar se pikturat e Munchut tregojnë se dikush mund të mos e konsiderojë atë “si një njeri serioz dhe më një tru normal”.

Për vite Munchu iu referua komenteve në shënimet e tij, qartësisht shumë i lënduar nga gjykimet.

“Teoria është se Munch e shkroi këtë pasi që dëgjoi gjykimin e Scharffenbergut për gjendjen e tij mendore, në vitin 1895, apo pas këtij viti”, ka thënë Guleng për përshkrimin. “Është e logjikshme të supozosh se ai e ka bërë në atë periudhë, gjatë asaj ekspozite ose në tjetrën që pasoi”.

Piktori i ekspresionizmit është i njohur në kohët moderne dhe konsiderohet një prezantues i fuqishëm i ankthit dhe dhimbjes. Në ditarin e tij, Munch ka shkruar se piktura ishte inspiruar nga një “shpërthim i melankolisë”.

Edhe babai i artistit, por edhe gjyshi vuanin nga depresioni dhe motra e tij ishte shtruar në Spitalin Psikiatrik në Gaustad. Munch ishte hospitalizuar pas një krize nervore në vitin 1908.

“Shkrimi mund të lexohet si një koment ironik, por në të njëjtën kohë si një shprehje e dobësisë së artistit”, ka thënë Gulen. “Shkrimi në pikturën e përfunduar tregon se krijimi ishte një proces i vazhdueshëm për Munchun”.

Piktura është parë shumë rrallë që kur ishte vjedhur për një kohë të shkurtër para 20 vjetësh. Në vitin 2021 një version i saj në pastel është shitur për afro 120 milionë dollarë gjatë një ankandi nga “Sotheby’s” në New York – një rekord botëror i asaj kohe.  CBS News