Mësimdhënësit në Kosovë përballen me mungesë të mjeteve për mësim online

Mësimdhënësit në Kosovë përballen me mungesë të mjeteve për mësim online – Lajmet e fundit



Mësimdhënësve nuk u janë krijuar kushtet e duhura të zhvillojnë mësim online nga data 12 prill, si një nga masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, thotë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Me mbajtjen e mësimit online në formën se si organizohet në institucionet e arsimit në Kosovë, nuk po pajtohen as në Këshillin e Prindërve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që nga 12 prill deri më 18 prill, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Ndërkaq, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Por, pas një takimi të mërkurën, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se me prani fizike do të mbajnë mësim edhe klasat 1 deri 5.

Rrahman Jasharaj, udhëheqës i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë tha për Radion Evropa e Lirë se mësimin do ta zhvillojnë online ashtu siç ka paraparë qeveria, por sipas tij, nuk ka kushte të kënaqshme për këtë formë të mësimit.

“Vitin e kaluar është parë që mësimi online është i vështirë për t’u organizuar, veçmas në Kosovë, ku kushtet nuk janë të duhura, qoftë mungon teknologjia e duhur, mësimdhënësit nuk janë të pajisur që të gjithë me laptop. Po ashtu ka edhe familje që jetojnë në pjesë që nuk janë të lidhur me internet dhe po ashtu ka familje që e kanë gjendjen e rëndë ekonomike dhe nuk kanë teknologji në shtëpitë e tyre”, thotë Jasharaj.

Në muajin mars të vitit të kaluar, kur ishte bërë mbyllja e shkollave në mbarë botën, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë familje mbështeteshin në mësimet online si mundësi për të vazhduar edukimin.

Një raport ndërkombëtar i Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) që kishte vlerësuar mësimin online, në atë kohë pati vënë në pah se për një në tre fëmijë në botë, nuk kishte qasje në ndonjë lloj mësimi në distancë.

Kualiteti i dobët i internetit vështirëson mësimin online

Jasharaj tregon se mësimin online po e bëjnë më të vështirë edhe problemet me internet. Ai thotë se ndodh që në disa fshatra interneti është i dobët dhe nxënësit nuk mund të kyçen në mësimet online.

Në tregun e komunikimeve elektronike në Kosovë, operojnë Telekomi i Kosovës, Ipko, Kujtesa, Artmotion, MTS doo, Ardi, Orange net, TelKos dhe të tjera.

Përdorimi i internetit viteve të fundit ka pasur rritje të madhe në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 93 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet.

Eksperti i çështjeve të telekomunikimeve, Driart Elshani kohë më parë pati thënë për Radion Evropa e Lirë se rënia e kualitetit të shërbimit të internetit është paraqitur pasi është rritur vrullshëm shfrytëzimi i shërbimit të internetit nga shumë institucione publike dhe private, për shkak të masave mbrojtëse të shkaktuara nga pandemia e koronavirusi.

Shkrimin e plotë munda ta lexoni KETU