Mickey Mouse dhe debati për të drejtat autoriale

Mickey Mouse dhe debati për të drejtat autoriale

Më 2024, Disneyt do të skadojë e drejta autoriale për versionin më të hershëm të Mickey Mouseit. Për herë të parë Mickey Mouse u shfaq më 1928 në filmin e shkurtër të animuar “Steamboat Willie”. Qe filmi i parë i animuar me zë. Në SHBA, e drejta e autorit për vepër origjinale zgjat deri 70 vjet pas vdekjes së autorit. Por për veprat që kanë autor anonim, pseudoanonimë ose nga ndonjë punonjës si pjesë e punës së tyre, zgjat 95 vjet. Për veprat e publikuara para 1978, siç është Mickey Mouse, e drejta e autorit zgjat 95 vjet nga data e publikimit.

Derisa versioni i parë i Mickey Mousit është afër për t’i mbushur 95 vjetët e së drejtës së autorit, ai ka pasur disa transformime që nga viti 1928, ndërsa versionet e mëvonshme të Mickey Mousit ende do të mbrohen deri kur të mbarojë 95-vjetori i tyre.

Mickey Mousi origjinal duket mjaft ndryshe nga miu i rrumbullakët dhe i ngrohtë që shohim sot. Ai ka pasur një hundë me majë si mi dhe këmbë e duar të holla.

Derisa Disney mund t’i humbë të drejtat e autorit të “Sreamboat Willie” kompania mund të ruajë ende disa të drejta nëse ai version i miut njihet si markë tregtare.

“Pyetja e parë është nëse Disney është duke përdorur ‘Steamboat Willie’ jo vetëm si karakter, por edhe si simbol të Disneyt”, ka thënë për DW-në, Jane Ginsberg, profesor i së drejtës së pronësisë letrare dhe artistike në Fakultetin Juridik Columbia në New York.

Marka tregtare është një simbol i njohur ose shprehje, e cila është e lidhur me një produkt ose shërbim nga një kompani e caktuar ose individ, dhe ndryshe nga e drejta e autorit, ajo mund të jetë e përjetshme.

Në SHBA, marka tregtare nuk ka nevojë të regjistrohet që të konsiderohet markë kombëtare.

Nëse versioni i Mickey Mousit i parë në “Steamboat Willie” shihet si simbol i Disneyt, kompania mund të thotë së është markë tregtare.

Kjo nënkupton se njeriu mund ta përdorë si karakter, por duhet patjetër të bëhet në atë mënyrë që njerëzit të mos e keqkuptojnë si vepër të bërë nga Disney.

Për shembull, tregimeve dhe karaktereve origjinale të A. A Milnes, “Winnie-the-poo” (1926) iu ka skaduar e drejta e autorit në fillim të 2022-s.

Por, figura ikonike e karakterit të Disneyt, ariu i verdhë me bluzë të kuqe, i cili së pari u shfaq në filmin e shkurtër të animuar më 1966, është ende nën të drejtën e autorit. Gjiganti i argëtimit synon që ende mban një kontroll të disa markave tregtare që lidhen me arushin popullor, i cili kufizon përdorimin e imazhit të personazhit në produkte.

Duke testuar kufijtë e fortesës së Disneyt lidhur me të drejtat e autorit të personazhit, “Winnie the Pooh: Blood and Honey” është një film horror që do të dalë këtë vit. Filmi riimagjinon karakterin e A.A. Milnes si një vrasës serik.

“Ne e dinim se çfarë ishte e drejta e autorit (e Disneyit) dhe çfarë kishin bërë ata”, ka thënë drejtori Rhys Waterfield për “Variety”. “Kështu që ne bëmë aq sa mundëm për t’u siguruar që (filmi) të bazohej vetëm në versionin e vitit 1926”.

Përveç emrit, ariu mjaltëdashës nuk mund të ngatërrohet me atë të Disneyt. Pooh vesh një kostum si druvar dhe tiparet e tij të fytyrës janë të shtrembëruara.

Nëse një markë tregtare bëhet një term i përgjithshëm për një klasë produktesh ose shërbimesh, ajo njësi ekonomike mund të humbasë të drejtën e saj për të thënë se ajo është marka e tyre tregtare.

Kjo është arsyeja pse në vitin 2013 “Google” tha se do të godiste konsumatorët që përdorin “google” si një folje të përgjithshme, edhe kur ata nuk po përdornin motorin e kërkimit të Google.

“Një pronar i markës tregtare i dëshiron që të dy mënyrat”, thotë Ginsburg. “Ata duan që fjala të jetë aq e njohur sa që njerëzit, në të njëjtën kohë, të mund të mbajnë dy ide në kokën e tyre – që Google është sinonim i kërkimit, por që Google është një kompani e veçantë që bën kërkime”.

Shembuj të famshëm të markave dhe produkteve që u bënë terma gjenerikë përfshijnë “Aspirin”, “Escalator” dhe “Thermos”.

“Ka gjithashtu disa marka tregtare të vdekura, të cilat e kanë humbur lidhjen e tyre, shpesh për shkak se zotëruesi i markës nuk e ka kontrolluar ashtu si duhet përdorimin e saj – fjala pushoi së nënkuptuari një markë individuale”, shpjegoi Ginsburg.

Kur vlefshmëria e markës tregtare vihet në pikëpyetje, teknikat e anketimit përdoren për të përcaktuar nëse njerëzit e lidhin markën tregtare me një markë ose produkt të caktuar.

Nëse një person bën një përpjekje për të krijuar një vepër origjinale, dikush mund të mendojë se ata duhet të fitojnë të drejtat deri në përjetësi. Pra, pse autorët dhe shpikësit kanë të drejta të limituara të pronësisë?

Klauzola e patentës dhe e të drejtave të autorit të Kushtetutës së SHBA-së deklaron së Kongresi duhet të ketë fuqi për të promovuar përparimin e shkencës dhe arteve të dobishme, duke u siguruar autorëve dhe shpikësve, për kohë të kufizuar, të drejtën ekskluzive për shkrimet dhe zbulimet e tyre përkatëse.

“Pra, si e promovoni përparimin e dijes? Së pari ju i bëni njerëzit të krijojnë vepra dhe pastaj ju siguroni që ato vepra të bëhen gjerësisht të disponueshme. Dhe përfundimisht, skadimi i të drejtës së autorit i bën ato plotësisht të disponueshme”, ka thënë Ginsburg.

Më 1988, në SHBA të drejtës së autorit iu shtuan edhe 20 vjet. Para kësaj ajo zgjaste 50 vjet pas vdekjes së autorit. Kjo i dha Disneyt, 20 vjet mbrojtje shtesë për Mickey Mousein origjinal.

Gjermania udhëhoqi rrugën për këtë zgjerim të së drejtës së autorit si një nga shtetet e para të BE-së e cila e rriti numrin e viteve të së drejtës së autorit në 70 vjet pas vdekjes.

Sipas Ginsburgut, kur BE-ja harmonizoi dhe miratoi të njëjtat standarde të së drejtës së autorit në mbarë BE-në, ata e kushtëzuan këtë me reciprocitetin, që do të thotë se veprat e SHBA-së nuk do të merrnin 20 vjetët shtesë të mbrojtjes në BE nëse SHBA-ja nuk e zgjati mbrojtjen e të drejtave të autorit me 20 vjet.

“Duke qenë se BE-ja është një treg shumë i madh për SHBA-në, mendoj se kjo ishte më bindëse sesa përpjekjet lobuese të ndonjë industrie të veçantë”, ka thënë Ginsburg.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku