Miftaraj: Marrëzi ta akuzosh Bashën se ka punuar kundër UÇK-së

Miftaraj: Marrëzi ta akuzosh Bashën se ka punuar kundër UÇK-së – Lajmet e fundit



Ehat Miftaraj nga IKD-ja, ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha në lidhje me UÇK-në, raporton Zeri.info.

Sipas Miftarajt, këto deklarata të tyre janë luftë politike para zgjedhjeve në Shqipëri në mes të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilat i cilësoi si “shumë të pavërteta, shumë njollosje, shumë politikë, orkestrim dhe qerim i hesapeve personale” mes tyre.

Ndër të tjera, ai i ka dalë në mbrojte kreut të demokratëve në Shqipëri, duke thekuar se kontributi i tij në formimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë dhe kalimin e kompetencave nga UNMIK-u, ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Basha për gjithçka mundet mu akuzu, ama me akuzu se ka punu kundër UÇK është marrëzi”, tha Miftaraj.

Miftaraj, i cili sikurse Basha, ka punuar në UNMIK, ka treguar për funksionimin e këtij misioni të OKB-së në Kosovë, ku thotë të ketë pasur xhelozi nga shefat e divizioneve të Departamentit të Drejtësisë ndaj punëtorëve të ndryshëm, e sidomos ndaj shqiptarëve.

“Prej fillimit të vitit 2005 deri në gusht 2007 kam punuar në Divizionin e Politikave Ligjore në Departament të Drejtësisë në UNMIK. Kush e din si ka funksionuar Departamenti i Drejtësisë në UNMIK, e din se ka pasur shumë luftë dhe xhelozi mes shefave të divizioneve në këtë department, shtyllës së parë të UNMIK dhe Zyrës së PSSP-së. Shumica e ndërkombëtareve në Department të Drejtësisë në UNMIK vetëm për faktin se ka qenë Lulëzim Basha shqiptar i Shqipërisë kanë pasur xhelozi të jashtëzakonshme ndaj të njejtit dhe ia kanë kontestuar në vazhdimësi profesionalizmin e tij me argumentin se i njejti është shqiptar dhe është i njëanshëm në raport me shqiptarët e Kosovës. Të vetmën pikë që e kanë kontestuar me xhelozi të tmershme ka qenë se anon nga shqiptarët dhe kjo ndikon në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij në punë”, u shpreh Miftaraj. /Zëri