Miftaraj thotë se arrestimet e sotshme janë në pajtim me mandatin e Gjykatës Speciale

Miftaraj thotë se arrestimet e sotshme janë në pajtim me mandatin e Gjykatës Speciale – Lajmet e fundit



Arrestimet e bëra sot nga Gjykata Speciale sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, janë në pajtim me mandatin e Gjykatës Speciale dhe mund të lidhen kryesisht me veprën penale pengim në administrimin e drejtësisë.

Sipas tij arrestimet po ashtu të japin për të kuptuar se dosjet ne zyret e veteranëve të luftës kanë rrjedhur nga Gjykata Speciale.

“Përndryshe Gjykata Speciale nuk ka mandat dhe juridiksion të arrestoj askënd nëse nuk lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë lidhur me rastet e Gjykatës Speciale.

Secili qytetar i Kosovës duhet të distancohet nga çdo veprim që pengon punën e kësaj gjykate. Sikurse, është obligim I Gjykatës Speciale të sqaroj publikun lidhur me rrjedhjen e informatave konfidenciale, të dëshmoj dhe bind publikun lidhur me sigurinë fizike dhe juridike të dëshmitarëve, përfshirë integritetin e proceseve gjyqësore, dhe respektimit te të drejtave dhe lirive të personave subjekt të procedurave penale”, thekson Miftaraj.

Drejtori i IKD-së shprehet se Gjykata Speciale nuk mundet të ik nga përgjegjësisë dhe të mbyllet lidhur me procese kaq të rëndësishme për publikun dhe se transparenca dhe llogaridhënia e Gjykatës Speciale duhet të jetë baza e punës dhe përformancës së saj.

Në fund Miftaraj thotë se Komisioneri për të drejtat dhe liritë e njeriut të Këshillit të Bashkimit Evropian duhet të aktivizohet dhe të kërkoj respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në këtë gjykatë, me theks të veçantë sigurinë fizike dhe juridike të dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre. /Zëri