MIK Festival, koncerte në ishullin e Maligradit e shtëpinë e Sterjo Spasses

MIK Festival, koncerte në ishullin e Maligradit e shtëpinë e Sterjo Spasses

Ka ulur siparin MIK Festival, një event që mblodhi në Korçë e rrethinat e saj, artistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët sollën muzikë klasike e jo vetëm.

MIK Festival, një ide e sopranos Inva Mula, përmbylli edicionin e tij të pestë.

Pas performancave në qendër të qytetit, tek Hani i Pazarit e teatri “Andon Zako Çajupi”, në ditën e tij të fundit, u zhvendos në Parkun Kombëtar të Prespës, në ishullin e Maligradit si dhe në shtëpinë muze të Sterjo Spasses.

Në Maligrad, të pranishmit ndoqën koncertin “Harpe & violincel” nga Katerina Kitsou dhe Juliana Laska. Ndërsa në oborrin e shtëpisë së Sterjo Spasses, interpretuan Laura Krliu(vokal) dhe Diaman Ballazhi(kitarë).

Eventi muzikor, tashmë i përvitshëm në Korçë, solli disa emra në zë të artit shqiptar, si mjeshtren Suzana Turku, balerinin Ilir Shaqiri, Elina Dunin e Ledina Çelon.

Në nisje të MIK Festival, bashkia Korçë, vlerësoi sopranon Inva Mula me titullin “Nderi i qytetit”. / atsh / KultPlus.com