Ministrit Peci i kërkohet hapja e subvencioneve dhe kompensimi i dëmeve nga breshëri

Ministrit Peci i kërkohet hapja e subvencioneve dhe kompensimi i dëmeve nga breshëri

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Deçanit, Rifat Stojkaj, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, i ka kërkuar ministrit të Bujqësisë Faton Peci, që të hap afatin për subvencione. Gjithashtu ka kërkuar që bujqëve t’iu dalin pagesat e dyta të subvencioneve.

Stojkaj shkruan se akoma nuk është bërë as kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga breshëri.

Ai thotë se fermerët kanë nevojë për mbështetje.

Postimi i tij i plotë:

Drejtuar Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Faton Peci,

I nderuar Ministër,

Po ju drejtohem sot publikisht, me disa kërkesa për ju, e shumë esenciale për qytetarët tanë.

Fermerët e Komunës së Deçanit, nuk i kanë marrë ende pagesat e dyta të subvencioneve dhe nuk iu kanë kompensuar dëmet nga breshri.

Zoti Ministër,

Fermerët tanë kanë nevojë për mbështetjen tuaj. Ju lus që të jeni afër tyre!

Bashkërisht, t’ua dimë hallin e t’ua bëjmë qaren,

Ju lus Ministër, hapeni afatin për subvencione për vitin 2021!

Fermerët janë pjesa më e vlefshme e shoqërisë. Janë katalizatorë të zhvillimit ekonomik.

Ne kemi nevojë për ta, ashtu siç ata kanë nevojë për shtetin.

Ta dëgjojmë zërin e shqetësimet e tyre, duke dëshmuar se politikat tona mbështesin ndërtimin e një ekonomie të mirëfilltë.

Uroj, zoti Ministër, që sa më shpejtë, këto kërkesa, të marrin vëmendjen tuaj dhe trajtimin që meritojnë!