Ministrja Denaj në 'Euro-mo-money conference': “Gjatë 2020-2022 Shqipëria do të ketë rritje ekonomike prej 3.7% në vit”

Ministrja Denaj në ‘Euro-mo-money conference’: “Gjatë 2020-2022 Shqipëria do të ketë rritje ekonomike prej 3.7% në vit”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka marrë pjesë në “Euromomoney Conference”, Forum i Evropës Qendrore dhe Lindore, që zhvillohet për të 25-tin vit radhazi dhe mbledh në Vjenë të Austrisë krerët më të lartë të Ministrive të Financave dhe Ekonomisë dhe sistemit financiar dhe bankar.

Ministrja Denaj ishte pjesë në panelin e diskutimit mbi Shqipërinë i fokusuar në mundësitë e investimit dhe orientimin e tregut shqiptar drejt tregjeve ndërkombëtare.

Ministrja u shpreh se Shqipëria ka njohur rritje të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja në vend, si dhe ka kryer reforma të rëndësishme në fushën e financave publike. Më tej, nëpërmjet shifrave, znj.Denaj në fjalim ka shpjeguar edhe përmirësimin e bilanceve tregtare, ku sipas saj  eksportet janë rritur me 21.3%, ndërsa importet me 16.1%:

“Vetëm për tremujorin e tretë të 2019, IHD regjistruan vlerën +272.2 mln euro ose +1.3%, krahasuar me tremujorin e tretë të 2018, duke shënuar vlerën +810.2 milionë euro ose +7.3%, në periudhën Janar-Shtator 2019. Ndërkohë ndër vite prej vitit 2014, eksportet janë rritur me 21.3%, dhe Importet me 16.1%, një trajektore e cila pritet të vijojë edhe për vitin 2019.”

Ministrja në fjalën e saj është ndalur edhe në qëndrueshmërinë e indikatorëve makroekonomike dhe në potencialin e rritjes së ekonomisë shqiptare pavarësisht tërmetit të datës 26 Nëntor. Sipas saj në periudhën 2020-2022 pritet një rritje ekonomike prej 3.7% në vit:

“Shqipëria është një ekonomi në zhvillim, me një rritje ekonomike të vijuar prej vitit 2014, me një konsum të brendshëm dhe perceptim të aktorëve ekonomik në vend në rritje dhe me një nivel papunësie 11.4% ne 9 mujorin e vitit 2019.

Dyfishimi i eksporteve në periudhën 2014- 2018 në produkte si tekstilet dhe këpucët dhe makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit apo produkteve kimike dhe plastike janë rezultat i politikave për zgjerimit e produkteve shqiptare në tregun e huaj dhe masave fiskale në mbështetje të sektorëve me potencial zhvillimi.

Gjatë vitit 2020-2022, ne projektojmë që ekonomia të zgjerohet mesatarisht me 3.7% në vit, e nxitur nga veprimtaria e investimeve dhe rritja e eksporteve” u shpreh kreu i Financave publike.

Ministrja Denaj theksoi po ashtu rëndësinë e avancimit në reformën e sistemit të drejtësisë dhe funksionimin e kadastrës si dy elementë thelbësorë, që do të lehtësojnë, më tej të bërit biznes në Shqipëri për sipërmarrësit vendas dhe të huaj.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.