Ministrja Denaj përmbyll takimet me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Ministrja Denaj përmbyll takimet me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Denaj, sot kreu takimin (virtual) përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Znj. Yan Sun.

Ky mision filloi në datë 7 Qershor dhe përfundoi ditën e sotme. Gjatë misionit u diskutuan cështje të rëndësishme të financave publike dhe ekonomisë së vendit.

Ekipi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë diskutoi me Fondin Monetar Ndërkombëtar procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare.

“Ecuria tërësore e financave publike ka vijuar të qëndrojë brenda parashikimeve të bëra nga Qeveria Shqiptare për këtë vit, si një vit i rimëkëmbjes dhe vaksinimit.”, theksoi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë takimit.

Një vëmendje të vecantë në këtë takim mori diskutimi mbi zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, financat publike, kryesisht mbi pritshmëritë fiskale, mbi realizimin e paramatrave buxhetore të këtij viti dhe pritshmëritë për elementët kryesorë të buxhetit të periudhës afatmesme.

Pas tremujorit të fundit të vitit 2020, ku rritja ekonomike u rikthye në trendin pozitiv, gjatë vitit 2021 ekonomia vlerësohet të ketë ecur në linjë me parashikimet fillestare, me një rritje vjetore prej rreth 5.5%. Statistikat e ekonomisë tregojnë për një trend të qartë, të fortë rritës të besimit dhe perceptimit të agjentëve ekonomikë për ecurinë e aktivitetit ekonomik si dhe pritshmëritë e tyre në të ardhmen e afërt. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ruan një parashikim të përafërt në rreth 5.3% të rritjes.

Të dyja palët vlerësuan pozitivisht ecurinë e politikës fiskale dhe masat e ndërmarra në formë të qëndrueshme.

Një indikator tjetër, që sinjalizon një performancë të mirë të ekonomisë, është edhe ecuria e të ardhurave tatimore. Keto të ardhura gjatë 5-mujorit të parë të vitit kanë qenë rreth 20% më shumë se sa një vit më parë, dhe madje dhe rreth 2.5% mbi planin e periudhës. Edhe në periudhën afatmesme, Qeveria Shqiptare parashikon një rritje të qëndrueshme, në përputhje edhe me kuadrin makroekonomik dhe fiskal.

Në të njëjtën kohë, tregtia me jashtë ka pasur rritje të fortë, duke qënë se eksportet e mallrave ashtu edhe importet kanë shënuar një rritje gjatë këtyre muajve. Përkatësisht eksportet janë rritur me rreth 35% ndërsa importet me rreth 30% dhe rritja vihet re pak a shumë në të gjitha kategoritë kryesore të mallrave.

Diskutimet gjatë këtij takimi u fokusuan gjithashtu mbi disa nga prioritetet e Qeverisjes si Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, fiskalizimi, mbështetjen për sipërmarrjen në mënyrë strategjike dhe afatmesme, zbatimi i buxhetit të shtetit, përpjekjet për rritjen e aftësive monitoruese të risqeve fiskale dhe menaxhimin në rritje të garancive qeveritare në kuadër të mbështetjes për sektorin privat.

Qeveria Shqiptare ka përmirësuar procedurat e rimbursimit të TVSHsë, ku edhe gjatë vitit të pandemisë janë rimbursuar rreth 16. 5 miliardë lekë. Angazhimi i Qeverisë është që procesi i rimbursimit të TVSH-së të jetë automatik prej vitit 2023

Në ndërhyrjen e saj Znj. Denaj u ndal edhe në prezantimin e Strategjisë për Zhvillimin e Biznesit dhe të Investimeve, e cila është aktualisht në procesin e konsultimit publik, dhe përbën një pasqyrë të qasjeve të reja për zhvillimin e ekonomisë shqiptare pas pandemisë, vecanërisht të një serë sektorësh që kanë vëmendje të vecantë.

Së fundmi, Ministrja Znj. Denaj dhe Misioni i FMNsë, kryesuar nga Znj. Yan Sun, shprehën falenderimet e ndërsjellta për bashkëpunimin e ngushtë të deritanishëm.

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.