‘Mish-mashi’ i pronave, 6,950 pronarë drejt gjykatave, ATP: I kursyem shtetit 4.8 miliardë lekë

‘Mish-mashi’ i pronave, 6,950 pronarë drejt gjykatave, ATP: I kursyem shtetit 4.8 miliardë lekë

6,950 pronarë pritet t’i drejtohen gjykatave për të paditur Agjencinë e Trajtimit të Pronave në vijim pasi kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje nga kjo e fundit. Shifra bëhet e ditur nga vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave në raportin e punës për katër muajt e parë të vitit 2020.

Agjencia e Trajtimit të Pronave e ka përfunduar procesin e njohjes së pronësisë me datë 23 shkurt 2019, por vijon aktivitetin e saj mbështetur në  pikën 2 të nenit 34 në ligjin 133/2015, ku citohet se: “Nëse ATP-ja nuk përmbush detyrimin për të trajtuar kërkesat e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, brenda afatit 3-vjeçar, atëherë subjektet mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë për të trajtuar kërkesën e tyre, sipas përcaktimeve të këtij ligji”, për 6950 kërkesat e patrajtuara ATP-ja ka përfunduar proceduaren e njoftimeve duke bërë me dije se për njohjen dhe kompensimin e pronës së pretenduar subjektet kërkues mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë, të vendit ku ndodhet prona.

Pronarët drejt gjykatave pas pandemisë

Vetëm gjatë muajit korrik, Agjencia raporton 99 padi ndaj saj për ndjekje në Gjykata. Më shumë se 60 padi të reja janë regjistruar gjatë muajit gusht, sipas të dhënave zyrtare të vetë Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Ndërkohë përgjatë gjitha vitit 2020, arrin në rreth 600 numri total i padive të reja nga ana e pronarëve ndaj Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Një numër shumë i madh padish të ngritura nga pronarët presin prej vitesh nëpër gjykata, veçanërisht në atë të Lartën. Ndërkohë që sipas parashikimeve, paditë do të vijojnë për shkak të shifrave shumë të larta që pretendojnë pronarët nga shteti. Vetëm Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vlerësuar se se fatura financiare për kompensimin e pronarëve arrin në afërisht 1 miliardë dollar, ndërkohë që shoqatat e pronarëve pretendojnë një vlerë rreth 4 herë më të madhe.

Fatura e frikshme financiare për kompensimin e pronarëve

Gjatë vitit 2019, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vijuar punën me vlerësimin financiar të vendimeve përfundimtare për kompensim, duke përfunduar vlerësimin financiar të 1558 vendimeve, në të cilat përfshihen vlerësime të vendimeve të papublikuara më parë dhe rivlerësim të vendimeve nga grupet e punës sipas rasteve të parashikuara në ligj. Nga ky vlerësim rezultuan të dhënat si më poshtë: Agjencia e Trajtimit të Pronave nga hyrja në fuqi e ligjit 133/2015 deri në publikimin e fundit në Buletinin e njoftimeve zyrtare nr.46, datë 19.12.2019 ka vlerësuar gjithsej 26 091 vendime përfundimtare për kompensim të viteve 1993 – 2013, vlerësim prej të cilit rezultuan të dhënat si më poshtë: 18728 vendime u vlerësuan financiarisht me një vlerë prej 101,012,832,897 lekë, vlerë e cila pritet të ndryshojë pasi ATP-ja është në pritje të përfundimit të ankimimeve nga subjekti në bazë të afateve ligjore; 2823 vendime të publikuara pa vlerë financiare (dosje me mangësi dokumentacioni); 3715 vendime konsiderohen të kompensuara:  dhe 825 vendime të dublikuara*

Në tre vite vetëm 57 milionë dollarë kompensime

Por ndërsa fatura financiare është së paku 1 miliardë dollar, nga viti 2016, Agjencia e Trejtimit të pronave ka shopnzuar vetëm 57 milionë dollarë për kompensimin financiar të pronarëve. Sipas të dhënave zyrtare, nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka ekzekutuar për 682 vendime, nga këto 616 kompensim financiar me një vlerë prej 5,791,122, 519.66 lekë dhe 66 vendime me mbyllje procedimi.

Gjatë vitit 2016; janë ekzekutuar 190 vendime duke shpërndarë një fond për kompensim financiar prej 1 826 870 845 lekë në total. (1 805 417 553 lekë për kompensim financiar dhe 21 453 292 lekë për kompensim financiar me kërkesa të veçanta); Gjatë vitit 2017; janë ekzekutuar 179 vendime duke shpërndarë një fond për kompensim financiar prej 2 056 845 314 lekë në total (1 959 411 055 lekë për kompensim financiar dhe 97 434 259 lekë për kompensim financiar me kërkesa të veçanta); Gjatë vitit 2018; janë ekzekutuar 102 vendime duke shpërndarë një fond për kompensim financiar prej 1 543 025 978, 56 lekë në total ( 35 521 553 lekë për kompensim financiar dhe 1 507 504 425, 56 lekë për kompensim financiar me kërkesa të veçanta); Gjatë vitit 2019; janë ekzekutuar 145 vendime duke shpërndarë një fond për kompensim financiar prej 364,380,382.66 lekë në total (113,786,500.63 lekë për kompensim financiar dhe 250’593’882.03 lekë për kompensim financiar me kërkesa të veçanta dhe janë planifikuar për t’ju disbursuar për subjeket sipas kërkesës në vite dhe 1,168,641,118 lekë). Bie në sy se një pjesë e mirë kompensimit financiar I takon kërkesave të veccanta. Kjo praktië u miratua me Ligjin e ri të Pronave, dhe parashikon që pronarët të paguhen menjëherë ose në afate të shkurtra, nëse vendosin të heqin dorë nga një pjesë e shumës.

Kompensimi fizik

Nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka shpërndarë nga Fondi Fizik i pronave një sipërfaqe prej 612.3 Ha, me një vlerë financiare prej 1,259,309,912.38 lekë, si vijon: Gjatë vitit 2016 u shpërnda një sipërfaqe prej 658 899 m2 (65.9 ha) me një vlerë financiare prej 140,425,603 lekë. Gjatë vitit 2017 u shpërnda një sipërfaqe prej 2 575 064 m2 (257.5 ha) me vlere financiare 522,796,506 lekë. Gjatë vitit 2018 u shpërnda një sipërfaqe prej 568 909 m2(56.9 ha) me një vlerë financiare prej 116 637 991 lekë; Gjatë vitit 2019 u shpërnda një sipërfaqe prej 2,319,678.46 m2(231.97 ha) me një vlerë financiare prej 479,449,812.38 lekë.

Agjencia e Pronave: I kemi kursyer shtetit 3 miliardë lekë në 2018, dhe 1.8 miliardë në 2019

Ligji i ri për trajtimin e pronave, i cili i kompenson pronarët jo me vlerën reale të tokës, por me zërin kadastral që ka pasur në vitin 1945, i ka kursyer buxhetit të shtetit miliarda lekë, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka raportuar në mënyrë të përmbledhur vlerat financiare që duhet të ishin dhënë për kompensimin e pronarëve nëse vlerësimet do të ishin bërë me ligjin e vjetër të kthim-kompensimit të pronave.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2019 i janë kursyer buxhetit të shtetit 1.8 miliardë lekë, të cilat në të kundërt do të kishin përfunduar në llogaritë e pronarëve në formën e kompensimit financiar. Ndërkohë që efektet e vërteta të ligjit të ri janë ndejrë në vitin 2018, kur buxhetit të shtetit i janë kursyer plot 3 miliardë lekë.

Lorenc Rabeta/SCAN Magazine 

 

 

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.