Mitrovica në dy kohë paralele

Mitrovica në dy kohë paralele

Shkruan: Elvi Sidheri

Kur nisesh për në Mitrovicë, doemos njëfarë ndjesie e veçantë, krejt e pandier më parë, të fanitet, duke të paralajmëruar paraprakisht, se je duke ndërmarrë një udhëtim të pangjashëm me asgjë tjetër.

Aktualisht në Europën djep të qytetërimeve, dy qytete njihen botërisht si të ndara, kryeqyteti i Qipros, Nikozia, dhe pikërisht Mitrovica në veriun e Kosovës, ndaj do të mjaftonte thjesht ky fakt për t’u bindur se një rrugë për Mitrovicë nuk është kurrë diçka e rëndomtë, sepse ky qytet, ngërthen prej vitesh, pikëndarjet, kontrastet, dritëhijet dhe thuajse gjithë vegimet e së shkuarës së dhimbshme të luftës së fundit në Kosovë, duke e ngrirë vuajtjen e saj në kohë, pa u shëruar akoma nga plagët tejet të prekshme edhe sot e kësaj dite.

Sakaq, vetë udha për në Mitrovicë, ndryshe nga shumica e rrugëve të Kosovës (që po përmirësohen pareshtur), ende vijon në punime e sipër, dhe kur i afrohesh Vushtrisë, dëshira për ta kundruar urën madhështore të gurit, të tretet për shkak të vonesave në trafik, pluhurit dhe vapës së skajshme të kësaj vere me mot tepër të paqendrueshëm.

Peripecitë e njëjta rrugore të shoqërojnë gjer në Mitrovicë sidoqoftë, por këshëria ta mposht lodhjen e rrugës, teksa nuk e honeps as varganin e makinave ku pa dyshim prijnë mërgimtarët që si përherë janë kthyer në Kosovë, për t’u gjendur sërish pranë familjeve dhe njerëzve të tyre ne atdhe, sipas një tradite të mbrothët patriotike, që përveç Kosovës, vështirë ta hasësh tjetërkund.

Më në fund pastaj kalojmë mbi një lumë me shtrat të gjerë dhe rrjedhë fort të mbushur ujërash, pas një tuneli të gjatë nën malin mbrapa të cilit pastaj shpaloset ky qytet kaq unik, që vijon të frymojë plot gjallëri, përkundër ndarjes tashmë më shumë se dy dhjetëvjeçarëshe, paçka se plagët akoma i kanë vragat therëse, ndonëse pikëtakimet që ngërthehen në gjirin e tij, rëndom shndërrohen qëllimisht në përplasje të volitshme për orekset shoviniste të fqinjëve veriorë.

Stacioni i vjetër i autobusëve, të shpërfaq gjithsesi një imazh dikur madhështor, teksa mendja jote nis të tjerrë përfytyrime të së kaluarës kur Mitrovica vlonte nga jeta, zhvillimi, mirëqenia, arti, kultura, muzika, përparimi i gjithanshëm thuajse në çdo fushë, ndërsa sot qyteti rreket t’i shtyjë ditët e veta, në pritjen e përhershme që diçka e mirë të ndodhë, dhe sakaq mos të mbytet tinëzisht nga ndasitë etnike që as ujërat e Ibrit të bukur nuk i dëlirësojnë dot.

Bulevardi i madh Mbretërsha Teuta, menjëherë të jep një përshtypje të këndshme, jo vetëm nga emri i tij, por gjithashtu edhe ngaqë vetvetiu mund ta përfytyrosh madhështinë e mëhershme të këtij qyteti, falë një bulevardi të tillë, të gjerë e të gjatë, në anët e të cilit dallohen ende godinat e dikurshme, që sidoqoftë janë “plotësuar” nga një mori ndërtimesh të reja, të cilat, megjithëse të ngritura kuturu, në mënyrë tipikisht shqiptare (dukuri që haset kudo në viset shqiptare, nga Tirana në Tetovë, gjer në Mitrovicë), prapë dëshmojnë dëshirën e shqiptarit për të ndërtuar pareshtur diçka të re.

Kur kam filluar të lodhem nga ecja, i çlodh pak sytë me pamjen e monumentit të Nënë Terezës, e cila me mirësinë, përuljen dhe uratat e saj të përzemërta, duket se vazhdimisht bekon këtë qytet të plagosur, dhe pasi me bisht të syrit lexoj edhe “Belediye” në turqisht poshtë “Komuna e Mitrovicës”, çaj sërish përpara, me bindjen se Ura e Ibrit tanimë nuk është larg.

Durimi më tutje më shpërblehet, dhe lumi famëmadh, bashkë me urën botërisht të njohur që lidh dy brigjet e tij (tejet të ndara etnikisht, politikisht dhe… thelbësisht qëllimisht), më shfaqet papritmas, teksa duket sikur mirëseardhjen ma uron Isa Boletini, simboli shqiptar i Mitrovicës, nga përmendorja e tij aty pranë, dhe një qendër moderne tregtare në anën shqiptare, është hapi i fundit, përpara kalimit të urës, drejt veriut.

Bregu shqiptar i Ibrit është i sistemuar me shije, ndërsa nuk mungojnë as grafitet artistike, ku në mendje më ngulitet një syresh që denoncon dhunën ndaj gruas, sigurisht një kauzë fort e ndjeshme dhe bashkëkohore, që bie qartas ndesh me çfarë has njeriu në anën kundruall, domethënë në pjesën serbe, ku gëlojnë simbolet antishqiptare porsa ke shkelur në krahun matanë, megjithëse fatmirësisht ata që i kanë shkruar, kanë harruar se shkrimi cirilik në serbisht, nuk është fort i kuptueshëm për turistët e huaj që do të mund të kishin kureshtje t’i lexonin dënglat në fjalë.

Ndërkohë, bulevardi i Mitrovicës së Veriut, është dukshëm më i shkurtër se bulevardi madhështor në anën shqiptare përballë, ndonëse baret dhe lokalet janë të shumta, dhe atmosfera duket e shtendosur, tipikisht për një ditë përtace verore, teksa klientët janë të pakët, dhe nëpër mure tek-tuk gjen njoftime për pushimet në “Crnogorsko more”, bregdetij malazez, që siç duken bathët, është vendi ku vendasit serbë i kalojnë pushimet.

Grafitet nëpër muret e Mitrovicës së Veriut janë rëndom me sfond nacionalist, dhe njeriu habitet së tepërmi, ku befas has një të tillë, ku për çudi, është vizatuar Mahatma Gandi, simbol i shquar i paqes, që ndodhet pak më tutje monumentit të kniaz Llazarit luftarak.

Gjithsesi, shëtitja nëpër Mitrovicën e fjetur Veriore, mbaron shpejt, sepse kjo pjesë e qytetit matanë Ibrit është mjaft e vogël, njëfarë zgjatimi i Jugut, që ka ngrirë në kohë qysh në epokën jugosllave, ku flamujt serbë kanë inflacion të çmendur përdorimi (inflacion edhe më të madh se vlera e dinarit të drobitur serb, qe bën ligjin përtej urës së Ibrit), ku godinat, pallatet, infrastruktura dhe arkitektura, duket sikur vijnë drejtpërdrejt nga ndonjë kronikë e televizionit të Beogradit të viteve 1970.

Mitrovica e Veriut duket mirëfilli si njëfarë relike jugosllave, ku pas çdo hapi të hedhur, njeriu pret të shohë ndonjë murale të Titos, largqoftë Millosheviçit apo ndonjë udhëheqësi tjetër të dikurshëm jugosllav, ndonëse vendasit serbë janë kujdesur që nëpër rrugët e pjesës së tyre të qytetit, të himnizojnë vetëm mbretërit e tyre mesjetarë, krahas çdo figure, emri apo simboli, që bën haptas të ditur, se janë zotërit e asaj toke.

Të krijohet përshtypja sikur në vazhdimësi orvaten t’ia kujtojnë vetes këtë gjë, nëpërmjet çdo flamuri, çdo slogani çetnik nëpër mure, çdo simboli nacionalist, gjithçkaje pafundësisht, në përpjekjen e tyre të pareshtur për t’i bërë bisht realitetit prej shumë vitesh tashmë, sikur në anën përkundruall të lumit, mos të gjendeshin ballë për ballë me shqiptarët dhe gjithashtu me një realitet krejt të ndryshëm, me një shtet ku me pahir apo jo, bëjnë sidoqoftë pjesë, përkundër mohimit të gjendjes faktike.

Mitrovica e Veriut përfundon me disa pallate të zgjyrosura, aty ku ndodhen varrezat e shqiptarëve, në dalje të qytetit, teksa disa oxhaqe të lartë në distancë, tregojnë me gjasë për traditën shumëshekullore minerare të këtij qyteti historikisht.

Ndërkaq, thuajse kudo të ndodhesh në këtë anë veriore të Mitrovicës, vetvetiu të bie në sy lart në kodër, monumenti i famshëm i minatorëve, simbol që gjithmonë figuron në imazhet e qytetit, rrëzë të cilit gjendet kisha e Shën Dhimitrit, shenjtorit të Selanikut që i ka dhënë emrin edhe vetë këtij qyteti.

Kthimi në jug, në pjesën shqiptare, kurorëzohet me takimin me dy karabinierë dremitës italianë në hyrje të urës në anën serbe, të cilët koten dhe shtyjnë kohën duke soditur kalimtarët.

Kur u flas në italisht, gjallërohen në çast, dhe nisin të tregojnë sa të kënaqur ndihen për qetësimin e ujërave (jo vetëm të Ibrit, që e ka rrjedhën më të mpakur në stinën verore) dhe mundësinë që ura të kalohet lirisht nga të dyja anët e lumit.

Ndahemi me karabinierët pasi u kam thënë “Questo è anche merito vostro” (“Keni edhe ju meritën tuaj për këtë gjë”), ndërsa ata më përgjigjen çiltërsisht: “Il merito e di chi ci vive in questa meravigliosa città” (“Meritën e kanë banorët e këtij qyteti të mrekullueshëm”).

Bregu shqiptar i Ibrit më pret përsëri vëllazërisht, dhe kësaj radhe Mitrovica më duket edhe më e madhe sesa përpara se ta kaloja urën për në veri.

Gjithsesi më bëhet sikur porsa kam dalë nga ndonjë film i zbërdhulur i realitet jugosllav, dhe po kthehem sërish në botën e sotme të mirëfilltë, paçka se rrëmuja tipike e qytetit shqiptar, zhurmat, vapa, pluhuri, gjallëria, fillimisht çoku të bien në kokë, e thuajse të trullosin në vend.

Është gati e pamundur të kthjellohesh për faktin se ndodhesh sidoqoftë në të njëjtin qytet, në Mitrovicë!

Më pas, me ditët që kalojnë pas kësaj vizite mbresëlënëse, mbresat të nguliten edhe më thellë në kujtesë, krahas bindjes që pata krijuar prej kohësh, kryesisht nga miqtë e mi mitrovicas, që më shtyjnë të mendoj se ky qytet dhe banorët e tij, kanë diçka tepër të veçantë, një kulturë, kryeneçësi, vullnet dhe karakter të rrallë.

Mitrovica, me lumenjtë e saj të shumtë, natyrën e bukur, mineralet e saj të pashtershme, trashëgiminë mahnitëse kulturore, me urat, arkitekturën, bulevardet, njerëzit e saj, me historinë dhe çdo tipar të saj, me jugun dhe veriun, do të mundej fare mirë të shndërrohej në simbol të ringjalljes së Kosovës, pikërisht për shkak të këtyre vlerave të saj unike në çdo këndvështrim.

Qenësia e këtij qyteti në dy kohë parelele, vetëm e dëmton Mitrovicën më shumë, duke i larguar brigjet e Ibrit më tepër se largësia e mirëfilltë midis bregut shqiptar dhe atij serb, të këtij lumi. / KultPlus.com