Molliqaj paralajmëron kallëzim penal për Arben Vitinë për keqmenaxhim të pandemisë

Molliqaj paralajmëron kallëzim penal për Arben Vitinë për keqmenaxhim të pandemisë – Lajmet e fundit



Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të dorëzojë një kallëzim penal ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Molliqaj ka thënë se Vitia ka kryer shkelje të rëndë, pasi siç thotë ai, papërgjegjësia e Vitisë ka prodhuar pasojë të rënda duke kushtuar me humbje të qindra jetëve të qytetarëve të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Molliqaj ka publikuar një grafikon i cili sipas tij paraqet dinamikën e rritjes së infektimeve me COVID-19 nga data 1 gusht deri më 12 gusht 2021.

“Po flasim për kohën kur tashmë dihej se varianti Delta ishte dominues tek ne. Rastet rriteshin në mënyrë eksponenciale, hospitalizimet rriteshin gjithashtu. Nga 100 raste sa i kishim më 1 gusht, mbërrijmë në 1006 më 12 gusht. Kemi dhjetëfishim të infeksioneve ditore. Çfarë bëri ministri përballë këtyre parametrave?! Zgjati orarin e klubeve të natës nga 01:00 në 03:00, dhe gastronomisë nga 23:00 në 24:00, pa bërë asnjë kufizim tjetër. Shikojeni ju lutem Ligjin për Pandeminë tek pjesa ku flitet për mënyrën e vendimmarrjes. Është e qartë shkelja”, ka shkruar ai.

Molliqaj ka thënë se “kjo nuk do të kalojë lehtë” duke theksuar se një kallëzim penal e pret Vitinë ditëve në vijim.

“Arben Vitia duhet të përgjigjet para prokurorisë. Veprimi i datës 12 gusht ka rezultuar me pasoja fatale për njerëzit. Ai ka vepruar në mënyrë tërësisht të papërgjegjshme dhe ka shpërdorur detyrën zyrtare. Kjo nuk do të kalojë lehtë. Një kallëzim penal e pret ditëve në vijim. Për fillim…”, ka shkruar kreu i PSD-së, Daradan Molliqaj. /Zëri