“Monumentaliteti i përditshmërisë” nga Venecia në Prishtinë

“Monumentaliteti i përditshmërisë” nga Venecia në Prishtinë

Nga Venecia e në Prishtinë është sjellë libri “Monumentaliteti i përditshmërisë”. Skicat në qilima e qëndisje janë kthyer në versionin fillestar, në vendin ku filluan të projektohen. Punimet bardhezi dhe ato me ngjyra shfaqen si monumente për përditshmërinë e njerëzve e kafshëve.

Para fillimit të ngjarjes që shënoi promovimi i librit, që në fakt është katalogu i detajuar i veprës së Jakup Ferrit në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Ndërkombëtare të Venecie, publikun e kanë shoqëruar edhe pamjet e përfaqësimit në edicionin e 59-të të ngjarjes madhore, e cila vazhdon të jetë hapur qysh prej prillit dhe zgjat deri në nëntor. Vepra e Ferrit në ekspozitën kuruar prej gjermanes Inke Arns reflektohet në botimin e librit me të njëjtin titull, përuruar të shtunën në “Kino Armatë”, në kuadër të ngjarjeve të “Manifesta 14”. Shfletimi i katalogut është një hyrje në botën e artit të tij. Shumë nga punimet bardhezi e ato me ngjyra përfshijnë njerëz, kafshë, bimë e objekte. Ata janë duke luajtur, shikuar televizor, ushtruar, pushuar apo medituar. Të gjithë këto janë portretizim a monument i së përditshmes, siç përmblidhet e gjitha edhe në titullin e librit.

Veprat e Jakup Ferrit zënë vend edhe në katin e tetë të hotel “Grand”, në kuadër të ekspozitës së përbashkët “Green wedding to the earth – on ecology” në “Manifesta14”

Artisti Jakup Ferri ka zgjedhur të mos flasë, derisa për punën e kryer kanë folur pamjet që janë shfaqur përgjatë gjithë ngjarjes, e librat mbi tavolinën para publikut. Megjithatë ka qenë kuratorja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Inke Arns, e cila ka folur për projektin e tyre të përbashkët në kuadër të Bienales. Është shprehur se ka qenë kënaqësi e nder për të të jetë kuratore e Pavijonit të Kosovës. Artistin Ferri e ka njohur që nga viti 2004, kur për herë të parë ka vizituar Kosovën. Siç ka thënë Arns, kishte qenë Ferri që e kishte telefonuar atë dhe ia kishte shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Bienales.

“I thashë ‘duhet ta bësh këtë, mendoj se ke mundësi të mira për të marrë kritika pozitive’. Ai më tha se i duhet një kurator dhe më pyeti mua nëse dua të jem kuratore. Dhe kështu morëm pjesë së bashku dhe kemi marrë shumë kritika të mira”, ka thënë ajo. Ka folur edhe për eksperiencat me vizitorët e Pavijonit të Kosovës. “Nëndetësja e parë e Kosovës”, thotë se ka qenë titulli i lajmit me të cilin ka dashur ta publikojë me rastin e hapjes së Pavijonit. I është dukur si interesante, pasi Kosova nuk ka qasje në det.

“Është një nëndetëse që i nxjerr njerëzit në udhëtim, i fton njerëzit të ulen dhe të shtrihen dhe shumë nga ata që kanë qenë, na kanë thënë se është hapësirë shumë relaksuese”, ka thënë ajo, derisa ka treguar se vizitorët habiteshin kur kuptonin se ai ishte Pavijoni i Kosovës, jo ngase nuk e kanë njohur vendin, por që nuk prisnin diçka kaq të madhe. Të pranishëm kanë qenë edhe anëtarë të kabinetit të Ministrisë së Kulturës.

“Sot padyshim kemi parë punën e veçantë të kryer nga ekipi i mrekullueshëm, duke përfshirë kuratoren e Pavijonit të Kosovës, Inke Arns, dhe grupin e njerëzve të palodhur që kanë rrethuar Pavijonin”, ka thënë këshilltari Liburn Jupolli, i cili ka konsideruar se Ministria për Kulturë qëndron në mbështetje të artistëve kosovarë.

Në libër janë të prezantuara të gjitha veprat e Jakup Ferri në Venecia, si piktura, qëndisje dhe qilima.

Me punime të ngjashme ai merr pjesë edhe në “Manifesta 14”, në ekspozitën e përbashkët në katin e tetë të hotel “Grand”. Veprat e tij kanë zënë vend tok me ato të artistëve: Vigan Nimani, Nimon Lokaj, Doruntina Kastrati, Beth Stephens dhe Annie Sprinkle, Miki Yui dhe Celine Baumann, nën titullin e përbashkët “Green wedding to the earth – on ecology”. Ekspozita në përgjithësi flet për kërcënimet e ndryshimeve klimatike, degradimin e mjedisit dhe të zhdukjes së llojeve të ndryshme. Bimë të ndryshme janë ekspozuar aty si përgjigje e paralizës njerëzore përballë katastrofës. Ndërkohë Jakup Ferri pasqyron atë që po bën faktori njeri drejt kësaj, e që është asgjë. Muret e zhveshura në njërën nga dhomat ekspozuese aty janë veshur me pëlhurat e qëndisura, që janë renditur në tel alumini dhe mbahen nga kapëse rrobash. Njerëzit shfaqen të gjithë së bashku, në bashkëjetesë edhe me kafshët e bimët. Të gjithë në harmoni si në një univers tjetër, të shtrirë e larg shqetësimeve për gjithçka që ndodh, sikur ngjyrat janë ato që mbulojnë zymtësinë e jetës përreth. Paraqitja e kafshëve në ngjyra e forma të pazakonta është një fakt për surealen që shumëkush refuzon ta shohë.