Monumenti "NEWBORN" me dizajnin e saj të ri do t’i kushtohet grave të dhunuara këtë vit

Monumenti “NEWBORN” me dizajnin e saj të ri do t’i kushtohet grave të dhunuara këtë vit

Monumenti i Pavarësisë “NEWBORN” do të ndërrojë dizajnin edhe këtë vit. Këtë vit, dizajni i ri i dedikohet të mbijetuarave nga dhuna seksuale në luftën e vitit 1999.

Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, ka publikuar fotografitë në të cilat shihet dizajni i monumentit të Pavarësisë, në 12-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

Ai thotë se këtë vit monumenti është dizajnuar si dedikim për gratë e dhunuara gjatë luftës, jo vetëm atyre të Kosovës, por në të gjithë botën. Lufta sjell vetëm shtypje, dhunim dhe agresion ndaj grave është mesazhi që artisti kërkon të përcjellë:

“I çliruem prej politike, i kthyem në profesionin në të cilin zemrën e kam pasë përherë, në këtë vegëz është përshkrimi i dedikimit të NEWBORN 12 për kauzën e viktimave të përdhunueme gjatë luftës, jo veç në Kosovë, por krejt botën”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

NEWBORN është një nga simbolikat më të fuqishme në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë që u ndërtua pas shpalljes së pavarësisë. Çdo vit autorë të ndryshëm marrin përsipër të krijojnë diçka në veprën murale që është kthyer në një atraksion turistik edhe për shumë vizitorë.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.